Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Bislimi flet nëse do të vazhdohet moratoriumi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi ka thënë që moratoriumit për të pezulluar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare për një vit i ka kaluar afati.

I pyetur se cili është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës karshi këtij moratoriumi pas deklaratës së Departamentit të Shtetit Amerikan, i cili i inkurajon palët që të vazhdojnë moratoriumin, Bislimi theksoi se mandati i këtij moratoriumi ka skaduar më 4 shtator.

“Është me rëndësi për ta ditur është që moratoriumi ka pasur një mandat njëvjeçar, moratoriumit i ka skaduar mandati me 4 shtator, moratoriumi ka pasur anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe jo angazhimet për njohje”, tha ai në një konferencë për media.

Dy versione të dokumentit prej gjashtëmbëdhjetë pikash, për palët kosovare dhe serbe, u nënshkruan më 4 shtator të vitit të kaluar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq.

Si pjesë e kësaj marrëveshjeje ka qenë zotimi i palës kosovare se nuk do të aplikojë për një vit në organizata ndërkombëtare, ndërsa ajo serbe do të ndalojë fushatën e ç’njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Ditë më parë është raportuar se Departamenti i Shtetit Amerikan inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë me moratoriumin mbi çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike.

Departamenti i Shtetit inkurajon Kosovën e Serbinë të vazhdojnë moratoriumin mbi njohjet