Millan Radoiçiq
Besnik Bislimi: Dora e djathtë e Radoiçiqit është i dyshuari për sulmin në Stacionin Policor në Zveçan
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Ai ka përmendur emrin Nemanja Radivojeviq si të dyshuar për sulmin në stacionin policor në Zveçan. I njëjti, sipas Bislimit, është dora e djathtë e Millan Radoiçiqit.
“Janë distancuar por ende e mbështesin dhe financojnë Millan Radoiçiqin i cili qarkullon nëpër Serbi dhe planifikon e organizon sulme mbi Kosovën nga ana tjetër e kufirit. Dora e djathtë e tij, Nemanja Radivojeviq – Gandi, është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024” – thuhet në reagimin e tij.
“Bashkë me sulmin në ndërtesën e komunës atje më 28 nëntor 2024, i paraprinë sulmit terrorist e kriminal ndaj infrastrukturës kritike që na mundëson ftohjen e termoelektranave që prodhojnë energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë të disa komunave të Kosovës përfshirë një pjesë të kryeqytetit, Prishtinës” – thuhet tutje në reagim.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Ky shpërthim ka shkaktuar probleme në furnizim me ujë dhe rrymë në Kosovë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit të shkaktuar, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Kryeshefi i Ibër-Lepencit, Faruk Mujka ka thënë se besojnë që së shpejti do të bëjnë zgjidhje edhe për ujë të pijshëm.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Kurti konfirmon se ka arrestime lidhur me sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.