Foto: KALLXO.com

Besnik Bislimi: Coronavirusi rrezikon të hyrat

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se gjendja e krijuar nga Coronavirus ka ndikuar në buxhetin e vitit 2020.

“Gjendja e krijuar me përhapjen e Coronvirusit në Evropë, Rajon e në Kosovë na dikton në hartimin e këtij dokumenti të rëndësishëm”, tha para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ministri i Financave dhe Transfereve,  Besnik Bislimi.

Ai ka thënë se Coronaviruesi do të ketë ndikim negativë në të hyrat dhe aktivitet ekonomik. Përvec kësaj, ministri Bekim Bislimi ka thënë se coronaviruesi do të ketë nevojë për shpenzime shtesë: qoftë për investime direkte për tu përballur me coronaviruesin apo për domosdoshmërinë për të përkrahur në aspektin sociale.

Bislimi ka thënë se rënia eventuale e të hyrave nënkupton se mund të kemi ndikim direkt në projektet kapitale që mund të shkurtohen.

Ai ka treguar se tashmë janë ndarë 10 milionë euro nga kontingjenca e ministrisë së financave, ndërsa janë edhe 7.9 milionë euro që mund të sigurohen nga Banka Botërore.

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e buxhetit të vitit 2020.