Besim Kodra: Një pacient me COVID-19 blen barna deri në 5 mijë euro

Besim Kodra nga Shoqata e të drejtave të pacientëve në Kosovë ka thënë se pacientët në Kosovë kanë paguar derti në 5 mijë euro për të marrë terapinë për COVID-19.

Kjo, sipas tij, ishte bërë nga infermierë që kanë shkuar nëpër shtëpi dhe kanë kryer shërbime të cilat nuk i mundësoi niveli komunal.

“Pacientët është dashur të blejnë ilaçe deri në 5 mijë euro. Në kohën kur janë ndërprerë shërbimet shëndetësore, ka pasur raste që është dashur të trajtohen nëpër shtëpi të tyre. Një pacient është dashur të paguajë 15 euro vetëm për vendosjen e një infuzioni, që zakonisht kanë qenë infermierë të QMF-ve”, ka thënë Kodra.

Ai shtoi se ka edhe mungesë të ilaçeve esenciale dhe për ndërprerje të shërbimeve tjera jashtë COVID-19 i janë drejtuar Avokatit të Popullit.

“Pengesa ka shumë edhe për shtrirje në spital, ka pasur mungesë të ilaçeve nga Lista Esenciale. Përpos problemeve në shërbimet për COVID-19 ka qenë edhe ndërprerja e shërbimeve tjera. Për këtë shkelje i jemi drejtuar edhe Avokatit të Popullit, i cili e ka konsideruar të paligjshme. Lidhur me këtë Qeveria është dashur të kompensojë secilin pacient që i është ndaluar kjo e drejtë”, shtoi tutje ai.

Tutje, sipas tij, shërbimet shëndetësore nuk është dashur të ndërpriten pasi kanë pasur mundësi të bëjnë spitale të improvizuara.