Besim Beqaj

Besim Beqaj rizgjedhet profesor i asocuar në Fakultetin Ekonomik

Ish- Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrèsi, Besim Beqaj është rizgjedhur profesor i asocuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Kështu ka vendosur sot senati i UP-së, kur rektori, Marjan Dema tha se ai i ka tri propozimet për rizgjedhje.

Në legjislaturën e kaluar ai ishte  Ministër i Inovacionit, por u shkarkua nga kryetari i partisë së tij, Kadri Veseli pasi vendosi të shkarkojë personat me aktakuza nga pozitat udhëheqëse.

Besim Beqaj ka qenë i akuzuar në rastin e ashtuquajtur “Pronto”, mirëpo i njëjti u lirua nga akuzat nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Prokurorja e këtij rasti, Drita Hajdari ka paralajmëruar ankesë ndaj këtij vendimi.

Beqaj akuzohej se së bashku me ish-deputetin e PDK-së, Adem Grabovcin kanë tentuar të krijojnë privilegje apo përparësi në bazë të përkatësisë politike për  pozitën e drejtorëve në bordet e ndërmarrjeve publike Trainkos dhe Infrakos.

Në përgjimet e saj, Prokuroria kishte kapur disa biseda mes Beqajt dhe Grabovcit të datave 9, 12 e 16 dhjetor 2011,  në të cilat planifikonin rishpalljen e konkurseve për disa pozita.

Në njërën prej tyre, Besim Beqaj i thotë Adem Grabovcit: “A t’i them atyne dyve, të dytë t’i rishpallim, Trainkos dhe Infrakos”. Ndërsa Grabovci i përgjigjet: “Sejdës i thashë po edhe atij tjetrit nëse do thuaji’’.

Ndërsa Besim Beqaj i përgjigjet: “Të dytë t’ja rishpallim, pastaj shohim”. E Adem Grabovci ia kthen: “OK, OK, masi të shpallet ky tjetri”. E Beqaj sërish i përgjigjet: “Tanaj i shpallim të dytë”, më çka pajtohet edhe Grabovci.

Kjo pjesë e bisedës mbyllet me një konkludim të Besim Beqajt, ish-deputet e ish-ministër nga PDK: “Edhe tani i zgjedhim bordet”.