Besiana Qorraj-Berisha nga Ministria e Ekonomisë: Ka interesim nga bizneset për të marrë statusin e vetëkonsumatorit

Besiana Qorraj-Berisha nga Departamenti i Energjisë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për çështjen e vetëkonsumit dhe interesimin e qytetarëve që të marrin statusin e vetëkonsumatorëve.

Në debatin për krizën energjetike, Qorraj-Berisha ka treguar se ka shumë interesim, e sidomos nga ana e bizeneseve që të marrin këtë status.

“Kohëve të fundit ka shumë interesim, sidomos nga bizeneset për të aplikuar në Zyrë të Rrugullatorit të Energjisë dhe për të marrë statusin e vetëkonusmatorit” – ka thënë Qorraj-Berisha.

Sipas saj, ZRRE është institucioni kompetent që implementon rregullin për skemën mbështetëse, e që është edhe skema për vetëkonsumator.

Ajo tregoi se sipas një prezantimi të fundit që është mbajtur në forumin e solarëve të organizuar nga USAID,  ka dalë se 40 megavatë është totali i instaluar i vetëkonsumatorëve në Kosovë.

“Do të thotë këta vetëkonsumatorë e kanë shfrytëzuar këtë skemën aktuale mbështetëse dhe janë bërë konsumatorë që prodhojnë energji dhe e shfrytëzojnë për nevojat e tyre” – tha Qorraj-Berisha.

Ajo shtoi se kur këta vetëkonsumatorë kanë tepricë të energjisë, e hedhin në rrjet.

Qorraj-Berisha ka treguar se Ministria e Ekonomisë është në fazën finale të hartimit të Projektligjit të burimeve të ripërtërishme të energjisë.

Ajo ka thënë se ky Projektligj, në programin e Qeverisë, është i paraparë të kalojë deri në fund të vitit.

“Aty përcaktohen të drejtat që duhet t’i ketë një vetëkonsumator, kompetencat për  ZRRE, KEDS-in edhe për të gjitha institucionet, të cilat marrin pjesë gjatë procesit të instalimit të një paneli solar për vetëkonsum” – tha Qorraj-Berisha.

Ajo gjithashtu tregoi se në momentin që ky Ligj kalon, vjen edhe periudha kur ZRRE-ja dhe institucionet e tjera do të obligohen që t’i rishikojnë të gjitha rregulloret që lidhen me sisteme solare për vetëkonsum.

Sipas Qorraj-Berishës, për shkak të interesimit që kanë parë, ZRRE veçse ka filluar që të rishikojë skemën aktuale mbështetëse për vetëkonsum.

Ajo tregoi se ZRRE nuk do ta presë Projektligjin për burime të ripërtërishme që të kalojë dhe të miratohet, por kërkesat që janë do të adresohen më herët.

Ajo gjithashtu tha se kapaciteti prej 100 kilovatësh për prodhim të energjisë nga vetëkonsumatoret do të rishikohet.

“Do të rishikohet ai pragu që është për 100 kilovatë kapacitet në mënyrë që të mos kufizohet me pasë mundësi edhe të shohim në të ardhmen se si do të vendoset” – tha Qorraj-Berisha.

Qorraj-Berisha tregoi se ky kapacitet është i vendosur nga ana e ZRRE-së.