Besian Mustafa tregon çka u diskutua në konventën programore të LDK-së

Zhvillimi ekonomi, politikat fiskale, arsimi e shëndetësia kanë qenë disa nga temat që janë diskutuar në konventën programore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Deputeti i kësaj partie, Besian Mustafa në një adresim për mediat pas përfundimit të kësaj mbledhje tha që në mandatin e ri qeverisës do të japin zgjidhje problemeve në këto fusha.

“Ishim një panel që patëm në fokus zhvillimin ekonomik, politikat fiskale, arsimin, shëndetësinë, ishte një hapje e të gjitha temave që natyrisht t`i japim zgjidhje coftë në përpilim të programit me fokusin dhe tragetin që t`i japim zgjidhje edhe në mandatin e ardhshëm qeverisës të LDK-së”, tha Mustafa.

Anëtarja e kësaj partie, Jehona Lushaku- Sadriu tha që në fushën e arsimit kanë diskutuar për ngritjen e cilësisë në arsim.

“Në fushën e arsimit kemi bërë një diskutim për nevojat dhe sfidat që i ka Kosova sot, për nevojën e rishikimit të të gjithë sistemit arsimor që nga parashkollori deri tek universiteti me qëllim që të ngrisim cilësinë duke qenë në harmoni me trendët evropiane duke inkuadruar digjitalizimin”, tha ajo.

“Kemi diskutuar për qasje më të veçantë dhe mbështetje të shkollave dhe fëmijëve me nevojat specifike dhe kategorive të tjera që i kanë si probleme shkollat momentalisht”, shtoi ajo.