Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besian Mustafa: Termocentraleve do t’u bëjmë analizë nëse duhet t’i mbyllim

Në #DebatPernime, kandidati për deputet, Besian Mustafa dha zotimet e tij dhe të LDK-së energjinë, bujqësinë e ambientin.

Premtimet dhe zotimet e LDK-së do të mbikëqyren nga krypometri, i cili është produkt matës për deklaratat e vërteta dhe të rreme për zyrtarë, deputetë e ministra që drejtojnë Kosovën.

Besian Mustafa, i cili është aktualisht edhe ministër në detyrë i Bujqësisë tha se Lidhja Demokratike e Kosovës do të punojë që prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë të kalojë në energji të ripërtëritshme.

“Kosova është mjaft e pasur me thëngjill dhe të gjithë e kemi strategji që të kalojmë nga burimet e thëngjillit në burime të ripërtëritshme. Kjo ka qenë edhe qëllimi i tarifave nxitëse për energjinë e ripërtëritshme. 189 milionë euro janë investuar në projektin e ‘SOWI’ si projekti më i madh në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Tutje Mustafa ka thënë se do ta mbështesin sektorin privat që të kalojnë nga përdorimi i thëngjillit në energji të ripërtëritshme.

“Duhet të mbështesin sektorin privat të kalojë nga përdorimi thëngjillit në burime të ripërtëritshme. Duhet të kalohet nga tarifat nxitëse në formë të konkursit të hapur dhe do ta bëjmë deri në fund të mandatit të ardhshëm. Te amvisëritë do ta zgjerojmë rrjetin e koogjenerimit, sepse dimrit rritet konsumi i energjisë elektrike”, ka shtuar më tej ai.

E rreth termocentraleve në Kosovë, Mustafa ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës do t’u bëjë një analizë rreth gjendjes dhe nëse ato duhet të mbyllen ose jo.

“Sa i përket Termocentralit Kosova A dhe B duhet t’u bëjmë analizë se a duhet t’i mbyllim apo jo. Edhe më tej do të përdorim thëngjill, natyrisht do të insistojmë që të përdorim teknologjitë e reja në përdorimin e thëngjillit, por në periudhë afatmesme dhe afatgjatë do të synojmë që të kalojmë në energji të ripërtëritshme”, ka thënë Mustafa.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Besnik Krasniqi dhe Bajram Kastrati nga AAK, Besian Mustafa nga LDK dhe Hajrullah Çeku nga LVV, të cilët do të flasin për ‘Energji, Bujqësi dhe Ambient’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.