Besian Mustafa pranon detyrën si ministër i Bujqësisë

Besian Mustafa ka pranuar sot detyrën e re si ministër i ri Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas një komunikate të MBPZhR-së, detyrën Mustafës ia ka dorëzuar tashmë ish-ministrja Dijana Zhiviq.

Siç bëhet e ditur, Mustafa ka premtuar se në vazhdimësi do të angazhohet në zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit të bujqësisë, që sipas tij është njëri ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, si dhe një ndër motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik.

“Sot edhe zyrtarisht kam pranuar detyrën për të udhëhequr me njërin ndër dikasteret kryesor për zhvillimin ekonomik të vendit dhe ne do ta trajtojmë si të tillë. Do të eksplorojmë të gjitha mundësitë ligjore, administrative dhe financiare që të fillojmë zbatimin e  programit bashkë-qeverisës që të jetësojmë të gjitha premtimet që i kemi dhënë qytetarëve të Kosovës për zhvillimin e këtij sektori”, ka thënë ministri Mustafa.

Me këtë rast, ish-ministrja Zhiviq e ka njoftuar për së afërmi ministrin e ri me punën e bërë deri më tani, duke i uruar atij suksese në angazhimin e tij në këtë Ministri.

Edhe ministrat e tjerë të zgjedhur nga Qeveria e re kanë pranuar detyrën nga ministrat e ekzekutivit të kaluar.

KALLXO.com ka raportuar dje drejtpërdrejt nga seanca plenare qe u mbajt me një pikë të vetme të rendit të ditës: zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryeministër është zgjedhur Albin Kurti dhe Qeveria përbëhet nga 15 ministri.