Besian Mustafa pezullon nga puna Drejtorin Ligjor të Ministrisë

Drejtori i Departamentit Ligjor në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Shefki Zeqiri është pezulluar nga kjo pozitë pasi që akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar për KALLXO.com se Zeqiri është pezulluar për shkak të aktakuzës së konfirmuar.

“Për shkak të aktakuzës së konfirmuar, Zeqiri është pezulluar nga detyra konform hierarkisë dhe legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen elektronike të zyrës së Informimit.

Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa javë më parë ka suspenduar edhe Kryeshefin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB), Ekrem Gjokaj dhe sekretarin e Përgjithshëm, Kapllan Halimi, për të njëjtën aktakuzë.

Rikalo i çon 2 milionë euro në Mitrovicën e Veriut

Më 30 dhjetor, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për ish ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo dhe 7 personave të tjerë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në mesin e të akuzuarve është edhe Shefki Zeqiri.

Në aktakuzën e Prokurorisë së shtetit pretendohet që Nenad Rikalo dhe ish zyrtarët e ministrisë K.H., Sh.Z., E.Gj., Sh.M., L.Th., L.K. A.Z., akuzohen për veprën e penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Prokuroria akuzon se Nenad Rikallo dhe K.H, Sh.Z dhe E.Gj në bashkëveprim gjatë vitit 2018, me qëllim që t’iu mundësojnë përfitime të kundërligjshme disa kompanive, kanë vepruar në nëmyrë të kundërligjshme.

“I pandehuri N.R. (Nenad Rikalo) në cilësinë e Ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”,  pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregull”, thuhen në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

Kjo aktakuzë kishte ardhur 7 muaj pasi KALLXO.com kishte publikuar një hulumtim rreth një plani të Ministrisë që drejtohej nga Rikallo për një projekt për komunat veriore të Kosovës