Foto: KALLXO.com

Besian Mustafa - Qeverisë: Falni gjobat e mos i punësoni nipat, ata lëreni për zijafete

Besian Mustafa, deputet i Lidhjes Dekokratike të Kosovës, tha se qytetarët e bizneset janë dëmtuar financiarisht gjatë pandemisë.

Sipas tij, në këto rrethana jo normale Qeveria duhet të gjejë forma për të falur gjobat e bizneseve dhe qytetarëve gjate viteve 2020-2021 pavarësisht bindjeve politike.

“Falja e gjobave të qytetarëve dhe kompanive duhet të jetë automatike pa pasur nevojë që qytetarët dhe kompanitë të aplikojnë. Falja e gjobave të qytetarëve dhe kompanive duhet t’i trajtoj të gjithë në mënyrë të barabartë dhe që ata të cilët i kanë paguar gjobat shteti t’i rimbursojë”, tha Mustafa.

Ai ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se “gati 100 ditë që e kanë marr Qeverinë por nuk po qeverisin”.

“I keni çkapur disa borde për t’i kapur vet. I keni shkarkuar disa njerëz, për t’i emëruar disa familjar, pastaj vini në Kuvend duke u mundu të bëheni të lezetshëm duke u mundu t’i arsyetoni se nipi ka lind para dajës, daja se ka pa nipin qe 50 vjet, nipi i ka sytë e kaltër e daja të zi, nipi daja, nipi daja”, tha Mustafa.

Mustafa tha se Qeveria ka harruar që i kanë votuar qytetarët e jo nipat.

“Vendet e punës po ua ndani nipave. Edhe një herë mjaft me ankesa e arsyetime por punoni. Ne këtu në Kuvend mund të kuvendojmë me orë e ditë të tëra. Ti ministër nuk je për të kuvendu por për të punu. Fali gjobat, nipat lej për zijafete”, tha Mustafa.

Kurse Hekuran Murati, ministër i Financave iu kundërpërgjigj deputetit Besian Mustafa i cili sipas tij foli për mungesën e guximit. Murati përmendi aksionin e Policisë në Ministrinë e Bujqësisë, ku u gjendet shumë e konsiderueshme e parave.

“Duhet guxim i hatashëm me shkel ligjin për menaxhimin e financave publike. Duhet me qenë guxim i hatashëm që brenda në ministri me gjet valigje me pare prej policisë”, tha Murati.

Ndërkaq deputeti Mustafa tha se paratë në Ministrinë e Bujqësisë sa ishte ai ministër, nuk i janë gjetur atij.

“Rrenat nuk mundesh mi pru në Kuvend. Ato para nuk m’u kanë gjet mua, por zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë. Unë kam bashkëpunu me policinë e prokurorinë që ata zyrtar të shkojnë në burg. Kur rren një qytetar i thjesht është marre, por kur thotë të pa vërteta, se rren nuk po muj me than një ministër, është e pa pranueshme”, tha ai.