foto: Bekim Jashari
Besarta Jashari nuk është në listën e Vetëvendosjes për deputete
Pas informatave se Besarta Jashari do jetë pjesë e listës për deputete në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar Bekim Jashari, vëllai i saj, i cili ka njoftuar së Besarta nuk do të jetë pjesë e ndonjë liste partiake.
“Pas interesimit të madh të mediave për një qëndrim të familjes sonë lidhur me spekulimet për mundësinë e përfshirjes së motrës sime, Besarta Jashari, si kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës, ju njoftojmë se Besarta nuk do të jetë pjesë e asnjë liste elektorale të asnjë partie politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare” – ka shkruar Bekim Jashari në Facebook.
Tutje Bekim Jashari ka thënë se si familje vazhdojmë të qëndrojnë të palëkundur në qëndrimin për të qëndruar jashtë përfshirjes aktive në partitë politike dhe proceset zgjedhore.
“Familja jonë mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për të qëndruar jashtë përfshirjes aktive në partitë politike dhe proceset zgjedhore, duke ruajtur angazhimin tonë si përkrahës të paanshëm të zhvillimit të vendit tonë” – ka shkruar Bekim Jashari.
Ai bëri thirrje për unitet dhe bashkëpunim në këto momente të rëndësishme për Kosovën.
“Në këtë moment të rëndësishëm për Kosovën, bëjmë thirrje për unitet dhe bashkëpunim të plotë mes të gjithë akterëve politikë në vend. Vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të fuqizojmë shtetin tonë, të shtrijmë sovranitetin e tij territorial, të forcojmë demokracinë, të avancojmë subjektivitetin ndërkombëtar dhe të kontribuojmë për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që ofron punësim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët” – ka shkruar Jashari.