Rritja ekonomike - Foto: REL/Shutterstock

BERZh: Në vitin 2021 Kosova parashihet të ketë rritje ekonomike prej 7.7%

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) ka thënë se deri në fund të vitit 2021, Kosova parashihet të ketë rritje ekonomike prej 7.7%.

Sipas raportit të BERZh për “Perspektivat Ekonomike Rajonale”, thuhet se ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet kryesisht falë sektorit të jashtëm.

Eksportet e shërbimeve, kanë arritur më shumë se katërfishi i eksporteve të mallrave se që ka qenë para pandemisë, ndërsa janë dyfishuar në shtatë muajt e parë të vitit 2021, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

“Eksportet e mallrave gjithashtu u rritën fuqishëm. Konsumi i familjeve po mbështetet nga një fluks në rritje i remitancave dhe nga zgjerimi i kredisë. Ekonomia parashikohet të rritet me 7.7 për qind në 2021 dhe 4.5 në 2022”, thuhet në këtë raport.

Sipas raportit, ekonomia e Kosovës parashikohet që në vitin 2022 të rritet për 4.5% apo ta ketë rritjen e dytë më të lartën në Ballkan.

Vetëm Mali i Zi, sipas BERZh-it, për vitin 2022 pritet ta ketë rritjen ekonomike më të lartë se Kosova në Ballkanin Perëndimor, me 5.7%.

Ndërsa për Shqipërinë, BERZh-i thotë se ka shënuar rritje ekonomike, e nxitur kryesisht nga zgjerimi i kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme. Turizmi ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm.

“Turizmi u ringjall fuqishëm në sezonin e verës 2021 me numrin e turistëve të huaj pothuajse të barabartë me shifrat para pandemisë në periudhën qershor-gusht. Ekonomia pritet të rritet me 8.0 për qind në 2021 dhe me 3.7 për qind në 2022”.

Kurse Mali i Zi, që pritet ta ketë rritjen ekonomike më të lartën në vitin 2022 nga vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas BERZh-it ka filluar të rimëkëmbet fuqishëm në vitin 2021.

Turizmi, në këtë shtet bregdetar, është rritur fuqishëm gjatë verës, me numrin e turistëve të huaj dhe qëndrimet gjatë natës në akomodime kolektive, që sipas Raportit, ka arritur në 85% të niveleve në krahasim me periudhën korrik-gusht të vitit 2019 në Malin e Zi.

“Qeveria pa një rritje të konsiderueshme të të ardhurave gjatë muajve të verës, duke mbështetur llogaritë fiskale. BVB-ja parashikohet të rritet me 12.3 për qind në 2021 dhe me 5.7 për qind në 2022”, thuhet në raport.

Një rimëkëmbje solide është duke e përjetuar edhe Maqedonia e Veriut, me rritje ekonomike të nxitur si nga kërkesa e brendshme, ashtu edhe ajo e jashtme.

Raporti tregon se konsumi i familjeve maqedonase është rritur fuqishëm, i mbështetur kryesisht nga rritja e pagave, rritja e kredisë si dhe të remitencave.

“Eksportet e mallrave u rritën si në vlerë ashtu edhe në vëllim, së bashku me importet, të nxitura nga rimëkëmbja në BE. Ekonomia parashikohet të rritet me 4.0 për qind si në 2021 ashtu edhe në 2022”, thuhet në këtë raportin e BERZh-it për Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa Serbia, gjithashtu sipas BERZh-it po përjeton rritje të fuqishme ekonomike në vitin 2021. Zgjerimi i fortë i vendit në eksporte dhe industri ka reflektuar me rimëkëmbje në eurozonë, që është partneri kryesor tregtar i Serbisë.

“Politika monetare ka mbetur lehtësuese, me normën kryesore të politikës së bankës qendrore në nivelin më të ulët historik prej 1 për qind. Ekonomia serbe parashikohet të rritet me 6,5 për qind në vitin 2021 dhe me 4,3 për qind në vitin 2022”, theksohet në raport.

Ekonomia e Bosnjës pritet të ketë rritjen më të ulët në vitin 2022 në Ballkanin Perëndimor në krahasim me vendet tjera.

Në vitin 2021, Bosnja ka përjetuar rritje solide të ekonomisë, pasi ka tejkaluar pritshmëritë në tremujorin e dytë të vitit 2021, si pasojë e rimëkëmbjes në tregjet e jashtme dhe rritjes së fortë të konsumit të brendshëm privat.

“Treguesit afatshkurtër të tregtisë me pakicë dhe industrisë tregojnë për vazhdimin e zgjerimit të prodhimit dhe shërbimeve industriale në tremujorin e tretë. Ekonomia pritet të zgjerohet me 4,5 për qind në 2021 dhe 3,0 për qind në 2022”, thuhet në raport.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rritur parashikimin e saj për rajonin e Ballkanit Perëndimor në 6.4 për qind për vitin 2021 në raportin e saj të fundit të Perspektivave Ekonomike Rajonale (REP), të publikuar sot.

Raporti i BERZh-it thotë se njëjtë si me rajonet e tjera edhe në Ballkanin Perëndimor është shënuar rritje e çmimeve të konsumit, gradualisht që nga fillimi i vitit 2021.

Shkak, sipas BERZh-it, janë çmimet e larta të ushqimeve si dhe të energjisë.