Foto: BERZh

BERZh lëshon kredi 58 milionë euro për ndërtimin e parkut më të madh të energjisë me erë në Kosovës

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) ka lëshuar një kredi prej 58 milionë euro për ndërtimin e parkut më të madh të energjisë së erës, Bajgora, në Mitrovicë.

Kredia e BERZh-it prej 58 milionë euro do të ndihmojë në financimin e ndërtimit dhe funksionimit të fermës me energji të erës me kapacitet 105 MW, në veri të vendit, në Bajgorë.

Sipas njoftimit të BERZh-it, kur të përfundojë, projekti Bajgora do të përfaqësojë rreth 10 përqind të kapacitetit të instaluar të vendit dhe do të shmangë 247 mijë ton dioksid karboni (CO2) në vit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Ky do të jetë projekti më i madh i ndërtuar në Kosovë që nga vitet 1980 dhe paraqet një hap të madh përpara në tranzicionin e energjisë në Kosovë.

“Më shumë energji e rinovueshme do të ndihmojë në adresimin e sfidave në uljen e ndërprerjes së energjisë dhe shmangien e ndotjes të shkaktuar nga qymyri në dy termocentralet ekzistuese të Kosovës”, vazhdon njoftimi i BERZh-it.

Ky investim pason tre vjet punë të BERZH-it me qeverinë për të bërë reforma legjislative për të zhbllokuar financimin e projekteve të energjisë së rinovueshme në vend. Pasi të ndërtohet, projekti do të ketë kapacitet të instaluar përtej 200MW dhe të japë një nxitje të konsiderueshme drejt arritjes së objektivit 400MW që vendi i ka vendosur vetë për të arritur deri në vitin 2026.

Financimi për projektin me energji të erës, Bajgora do t’u mundësojë pronarëve të saj, Sowi Kosova LLC, që të ndërtojnë dhe operojnë një hapësirë me turbina me erë në komunën e Mitrovicës.

Sowi Kosova LLC kontrollohet nga Enlight Renewable Energy Ltd, një kompani izraelite e energjisë së rinovueshme dhe klienti ekzistues i BERZh, së bashku me partnerët e saj gjermanë dhe kosovarë.

“Ne jemi të kënaqur që jemi partnerë përsëri me Enlight dhe bashkëfinancuesit tanë për të mbështetur këtë projekt. Suksesi i këtij projekti është për të gjitha palët e përfshira, por veçanërisht autoritetet kosovare, të cilët kanë ndërtuar një kornizë kontraktuale që mund të tërheqë investitorë dhe huadhënës ndërkombëtarë me cilësi të lartë”, tha Harry Boyd-Carpenter, Drejtor në BERZh.

BERZH po synon të bëjë 40 përqind të investimeve të saj vjetore në ekonominë e gjelbër deri në vitin 2020.

Ky është projekti më i madh i sektorit privat që BERZh ka nënshkruar në Kosovë deri më tani. Në tërësi, BERZH ka investuar 413 milionë euro në 67 projekte në Kosovë.