
European Bank for Reconstruction and Development/ Foto: Fcb
BERZH investoi 113 milionë euro në Kosovë gjatë vitit 2024
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka thënë se përgjatë vitit 2024 në Kosovë ka investuar 113 milionë euro, përmes 19 projekteve.
Përmes një komunikate për media, BERZH ka thënë se kjo shifër e tejkalon shifrën prej 81 milionë eurove, sa ka qenë investimi në vitin 2023, në 16 projekte.
Sipas BERZH-it, shumica e këtyre projekteve kanë qenë investime në sektorin privat.
“Banka u përqendrua kryesisht në tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër, duke drejtuar 80% të investimeve të saj në projekte të gjelbra. Në të njëjtën kohë, 11 projekte përfshinin një komponent gjinor – duke treguar përkushtimin e BERZH-it për të mbështetur barazinë gjinore në vend.” – thuhet në komunikatë.
Po ashtu, BERZH ka bërë të ditur se në vitin 2024 ka lidhur marrëveshjen për huan më të madhe ndonjëherë në Kosovë, në vlerë prej 50 milionë euro, për efiçiencë të energjisë deri në 400 ndërtesa publike në vend.
Sergiy Maslichenko, shef i BERZH-it për Kosovë, citohet të ketë thënë se investimi në Kosovë thekson përkushtimin e tyre për të mbështetur rikuperimin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
“Projektet që ndërmorëm, veçanërisht në sektorin privat dhe ekonominë e gjelbër, do të kenë një ndikim të qëndrueshëm pozitiv në jetën e qytetarëve. Jemi krenarë që po kontribuojmë në përparimin e Kosovës dhe presim të vazhdojmë mbështetjen tonë në vitet në vijim.” – citohet të ketë thënë Maslichenko.
Po ashtu, në njoftimin e BERZH-it është përmendur edhe investimi në vlerë prej 25 milionë eurove, në formë të huasë, për ndërtimin e infrastrukturës për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë.
“Huaja sovrane e BERZH-it deri në 25 milionë euro do të përdoret për të ndërtuar dy impiante të reja trajtimi: një impiant modern dhe një impiant më të vogël duke përdorur zgjidhje natyrore dhe për të zgjeruar dhe përmirësuar sistemin lokal të kanalizimeve, duke ofruar kushte më të mira higjienike për deri në 50,000 banorë në Podujevë.” – thuhet në komunikatën e BERZH-it.
BERZH është bankë shumëpalëshe që promovon zhvillimin e sektorit privat dhe nismën sipërmarrëse në 36 ekonomi në 3 kontinente. Banka është në pronësi të 74 shteteve, si dhe të BE-së dhe BEI-së.
Investimet e BERZH-it në rajonet ku ajo është e pranishme kanë për qëllim t’i bëjnë ekonomitë konkurruese, përfshirëse, të mirëqeverisura, të gjelbra, reziliente dhe të integruara.