Ilustrim - Parku i Biznesit në Drenas. Foto: Kallxo.com

BERZh: Ekonomia e Kosovës bie për 5% në vitin 2020

Sipas parashikimit më të fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për “Perspektivat Ekonomike Rajonale” dhe rezultatet e një studimi të kryer mbi ndikimin e krizës së coronavirusit, thuhet që Kosova në vitin 2020 ka përsuar rënie ekonomike prej 5 për qind në vitin 2020.

“Pas një tkurrje të Bruto Produktit Vendor prej 5 për qind në vitin 2020 pritet një kthim prej 4 për qind në vitin 2021, me kërkesën e brendshme që vazhdon të jetë shtytësi kryesor i rritjes”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se me fillimin e pandemisë, shkalla e rritjes së ekonomike në Kosovë u ngadalësua në 1.3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020, nga 4.2 për qind sa ishte në vitin 2019.

“Ngadalësimi erdhi kryesisht si pasojë e rënies së investimeve (më pak se 9 për qind nga viti në vit) dhe ndërtimit (më pak se 12 për qind)”, thuhet në raportin e BERZh.

Eksportet e shërbimeve, të cilat lidhen kryesisht me diasporën dhe vizitat e tyre në vend, sipas raportit të BERZh, regjistruan një rënie prej 35 për qind në gjysmën e parë të vitit 2020.

E kundërta ka ndodhur me eksportet e mallrave të cilat janë rritur me 20 për qind, kryesisht në mbështetje të zgjerimit të eksporteve të bazës së metaleve dhe produkteve kimike.

Sipas BERZh, remitancat qëndruan të forta, me 10 për qind në shtatë muajt e parë të vitit 2020.

“Inflacioni vjetor u kthye negativ në korrik 2020, i nxitur nga kërkesa e dobët për shkak të masave të bllokimit.

Shkalla e papunësisë thuhet se ka rënë lehtë në tremujorin e parë të vitit 2020, në 25 për qind, por që atëherë mund të jetë rritur.

Në prill të vitit 2020, qeveria miratoi pakon emergjente që të mbështeste punësimin, komunat dhe njerëzit në nevojë. Në qershor, qeveria e re miratoi pakon afatmesme të rimëkëmbjes ekonomike që mbulon periudhën 2020-2023 dhe duke synuar lehtësimin e qasjes në financa, uljen e taksave, mbështetjen e punësimit, bujqësinë si dhe ndërmarrjet publike.

“Rreziqet janë në rënie por epidemia mund të intensifikohet përsëri. Rreziqet e mëtejshme lidhen me dobësitë e vazhdueshme në zonën e menaxhimit të investimeve publike dhe me rimëkëmbjen më të ngadaltë se sa ishte parashikuar në tregtinë kryesore me partnerët në BE”, vazhdon raporti.