Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq në Kosovë. Foto: Shkodrane Dakaj

Bërnabiq për situatën në veri: Serbët në Kosovë po e zbatojnë marrëveshjen e Brukselit

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova me vendimin e tyre për bojkotim të institucioneve, janë duke mbrojtur të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjen e Brukselit.

Pas këtij vendimi, Bërnabiq ka thënë se Qeveria e Serbisë mbetet e vendosur për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe qëndron pranë popullit serb në Kosovë.

Ajo ka thënë se serbët në Kosovë kanë treguar durim dhe tolerancë gjatë dekadës së kaluar, pikërisht sepse duan paqe dhe besojnë në sundimin e ligjit, shkruan Tanjug.

Të shtunën, gjatë ditës (5 nëntor), përmes një konference për media të ftuar nga Lista Serbe, kjo parti njoftoi se është larguar nga institucionet e Kosovës.

Po ashtu, zyrtarë të shumtë të komunitetit serbë, që janë pjesë e Policisë së Kosovës, kanë dorëzuar mjetet e tyre të punës, duke njoftuar largimin nga Policia e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar në lidhje me situatën në veri të vendit, duke thënë se Beogradi ka nisur kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës.

“Përfaqësues të Listës Serbe para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave. Mirëpo, nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi nisi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës. Prandaj, diçka tjetër është në pyetje” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri Kurti nuk ka folur saktësisht për vendimin e fundit të zyrtarëve policorë nga komuniteti serb në veri, për t’u dorëhequr nga detyra, por ka kërkuar nga të gjithë qytetarët serbe që të ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë, duke thënë se ai nuk është kreministër kundër tyre.

Nga sot të gjithë zyrtarët policorë serbë në katër komunat në veri të Kosovës, të cilët janë pjesë e Policisë së Kosovës do të dorëzojnë uniformat e tyre, duke shënuar kështu bojkot pas masave të ndërmarra në takimin e sotëm me Listën Serbe.

KALLXO.com ka mësuar se fillimisht sot komandantët e stacioneve policore në katër komunat në veri të Kosovës, (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) do të dorëzojnë uniformat e tyre nëpër stacionet ku punojnë.

Pas komandantëve tutje siç mëson KALLXO.com të gjithë zyrtarët policorë të njësive të ndryshme të cilët funksionojnë në veri të vendit, do të dorëzojnë uniformat e tyre në shenjë pakënaqësie pas suspendimit të drejtorit rajonal Nenad Gjuriq.

Në lidhje me armët dhe kartelat policore për të njëjtat nuk u tha se do të dorëzohen, kështu të paktën u pa edhe në takimin e sotëm në të cilin u njoftua dorëheqja, por u hoqën vetëm këmishat e kaltra të Policisë së Kosovës.

KALLXO.com tentoi të marrë përgjigje edhe për këtë çështje por askush nuk dha ndonjë përgjigje.

Aktualisht situata në veri të Kosovës është e qetë. Zyrtarët e institucioneve të Kosovës që janë në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje ndërsa pozitat e tyre nuk dihet se si do të plotësohen.

Serbët bojkotojnë institucionet e Republikës së Kosovës, policët zhveshin uniformat – FOTO