Ana Bërnabiq - Foto: REL/AP

Bërnabiq: Lista Serbe nuk do ta mbështesë formimin e Qeverisë së Kosovës

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë sot se Lista Serbe nuk do të mbështesë formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

“Lista Serbe, e cila fitoi 10 nga 10 vendet e parapara për komunitetin serb, ka vendosur të mos e mbështesë formimin e kësaj Qeverie”, tha Bërnabiq pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe raporton agjencia e lajmeve Beta.

Ajo deklaroi se serbët në Kosovë janë më të fortë se kurrë më parë sepse ato janë unike sot.

Bërnabiq tha se ajo dhe drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, dhe përfaqësuesit e Listës Serbe diskutuan zbatimin e programit Serbia 2025.

“Me këtë projekt, ne kemi ndarë 150 milionë për projekte në Kosovë, për fuqizim ekonomik dhe një cilësi më të mirë të jetesës”, tha ajo.

Kryeministrja serbe citohet të ketë thënë po ashtu se pa heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe nuk do të ketë bisedime serioze me përfaqësuesit e autoriteteve të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar sot marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Qeveria e re e Kosovës, e cila do të drejtohet nga Albin Kurti, pritet të votohet nesër në Kuvendin e Kosovës.