Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq në Kosovë. Foto: Shkodrane Dakaj
Bërnabiq i reagon BE-së: Po u kushtoni vëmendje serbëve vetëm kur po vendosen barrikadat
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i ka reaguar QUINT-it si dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, në lidhje me barrikadat në veri të Kosovës.
Bërnabiq ka thënë se serbët në veri të Kosovës përmes barrikadave pe e ngrenë zërin dhe kjo po bëhet në mënyrë paqësore.
“Duket se QUINT-i, së bashku me Josep Borrellin, thonë se barrikadat në veri të Kosovës e M. duhet larguar pasi janë ilegale. Ata njerëz në barrikada po e ngrenë zërin, dhe po e bëjnë në mënyrë paqësore. E vetmja mënyrë që të dëgjohen, fatkeqësisht, është në barrikada” – ka shkruar Bërnabiq në Twitter.
Ajo ka thënë se atyre po u kushtohet vëmendje vetëm kur janë në barrikada.
“Po u vini vëmendjen vetëm kur janë në barrikada. Barrikadat nuk tregojnë thjesht pakënaqësinë dhe dëshpërimin e tyre, dhe nuk janë aty vetëm pse po mbrojnë të drejtat themelore njerëzore që po u rrezikohen, por po mbrojnë edhe Marrëveshjen e Brukselit, që e keni nënshkruar ju dhe implementimin e të cilës duhet ta garantojë BE-ja. Barrikadat janë po ashtu thirrje për paqe dhe për veprim të komunitetit ndërkombëtar që të fillojë ta bëjë punën e vet” – ka shtuar Bërnabiq.
The barricades are not simply showing their discontent and despair, and they are there not only because their basic human rights are endangered, but they are ALSO protecting the Brussels Agreement which you have signed and whose implementation the EU is supposed to guarantee. 6/7
— Ana Brnabic (@anabrnabic) December 11, 2022
Borrell thotë se BE nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it dhe ka kërkuar që barrikadat të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës.
“BE nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX apo përdorimin e akteve të dhunshme kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Duhet të rivendoset qetësia. EULEX-i do të vazhdojë të koordinojë me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Të gjithë aktorët duhet të shmangin përshkallëzimin” – ka shkruar Borrell në Tëitter.
Prej ditësh, në veri të vendit situata është tensionuar. Më 10 dhjetor pasdite në veri janë dëgjuar alarmet. Pas këtyre alarmeve ka pasur grumbullim të qytetarëve serbë dhe bllokim të rrugëve.
Sot, misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë – EULEX konfirmoi se një patrullë e saj është sulmuar mbrëmë me shok-bombë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve ka mbyllur për qarkullim pikën kufitare në Jarinjë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pika të tjera kufitare për të hyrë në Kosovë ose për të dalë nga Kosova.
Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.
Sipas Policisë, Pantiq po dyshohet se ka organizuar sulmin në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues të Kosovës.