Bërlloku në Prishtinë, Vetëvendosje me aksion para Komunës

Për të kundërshtuar mbeturinat e stërmbushura në disa lagje të kryeqytetit, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një aksion te objekti i Komunës së Prishtinës.

Aty u vendosën disa thasë me mbeturina dhe në mure u vendosën fotografi të mbeturinave.

Kësisoji kritikuan qeverisjen e Përparim Ramës duke kujtuar edhe premtimet që i kishte bërë ky kryetar në drejtim të menaxhimit dhe zgjidhjes së problemit të mbeturinave.

“Papastërtia është sëmundje” – është motoja me të cilën u zhvillua ky aksion.

“Prishtina kurrë s’ka qenë me keq në këtë pikë. Duke e ditur rrezikun që shkakton ky fenomen në përhapjen e virusëve e sëmundjeve të ndryshme, në shtimin e numrit të qenëve endacak, e në shumë aspekte tjera, duhet reagim urgjent i Komunës” – kanë thënë nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë.

Sipas tyre, edhe pse kanë kaluar 462 ditë, që LDK e PDK qeverisin bashkë, situata me mbeturina vetëm se është degraduar edhe më shumë dhe gjendja është alarmate.

“Këtë situatë si duket nuk po e shohin vetëm komunarët në pushtet, andaj sot mbeturinat që nuk po i largon kompania komunale, i larguam ne, nga qendra e qytetit dhe i sollem tek Komuna e cila duhet t’i heq sa më parë këto dhe të tjerat në rrugët e Prishtinës”.

“Nëse Komuna nuk bënë zgjidhje për këtë problem, atëherë adresa ku duhet t’i hedhim mbeturinat është kjo, pra Komuna e Prishtinës” – ka thënë LVV.

Në disa pjesë të qytetit të Prishtinës sot janë hasur pamje të kontinjereve të stërmbushur me mbeturina.

Situatë të papranueshme e ka quajtur kryetari Përparim Rama.

Rama ka thënë se janë duke vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën dhe për të pastruar sa më shpejt mbeturinat.

Ai ka thënë se e kuptojnë zhgënjimin e punëtorëve të Ndërmarrjes “Pastrimi”.

“Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë” – ka thënë ai.

“Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar dhe ju sigurojmë se po punojmë me përkushtim të plotë për të zgjidhur sa më shpejtë situatën” – ka shkruar tutje kryetari i Prishtinës në rrjetin social “Facebook”.

Punëtorët e kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” kanë hyrë në grevë që nga e hëna, pasi kërkesa e tyre për rritje të pagës për 70 euro nuk u pranua nga bordi i kompanisë.

KALLXO.com ka raportuar sot fotografi nga kontenierët e stërmbushur dhe mbeturinat e shpërndara jashtë tyre te Grandi dhe përballë Galerisë Kombëtare të Kosovës.