Bërlloku në kryeqytet, reagon kryetari Rama

Në disa pjesë të qytetit të Prishtinës sot janë hasur pamje të kontinjereve të stërmbushur me mbeturina.

Situatë të papranueshme e ka quajtur kryetari Përparim Rama.

Rama ka thënë se janë duke vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën dhe për të pastruar sa më shpejt mbeturinat.

“Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar dhe ju sigurojmë se po punojmë me përkushtim të plotë për të zgjidhur sa më shpejtë situatën”- ka shkruar kryetari Rama.

Ai ka thënë se e kuptojnë zhgënjimin e punëtorëve të Ndërmarrjes “Pastrimi”.

“Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë” – ka thënë ai.

“Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar dhe ju sigurojmë se po punojmë me përkushtim të plotë për të zgjidhur sa më shpejtë situatën” – ka shkruar tutje kryetari i Prishtinës në rrjetin social “Facebook”.

Punëtorët e kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” kanë hyrë në grevë që nga e hëna, pasi kërkesa e tyre për rritje të pagës për 70 euro nuk u pranua nga bordi i kompanisë.

KALLXO.com ka raportuar sot fotografi nga kontenierët e stërmbushur dhe mbeturinat e shpërndara jashtë tyre te Grandi dhe përballë Galerisë Kombëtare të Kosovës.