Ndërtesa e Qeverisë së Gjermanisë në Berlin | Foto: KALLXO.com
Berlini, nikoqir i bisedimeve për klimën
Me botën që po përballet me rënien ekonomike për shkak të pandemisë dhe luftës në Ukrainë, zyrtarë të lartë nga 40 shtete takohen më 18 korrik në Berlin për bisedime se si të qëndrojnë të fokusuar në luftimin e ndryshimeve klimatike.
Organizatorët kanë thënë se takimi dyditor është mundësi për të ndërtuar besimin midis shteteve të pasura dhe të varfra para samitit të Kombeve të Bashkuara për Klimën që këtë vit mbahet në Egjipt. Bisedimet në Berlin vijnë pasi bisedimet teknike të muajit të kaluar prodhuan pak përparim për çështjet kyçe siç është ndihma për klimën për vendet në zhvillim.
“Shumë nga shtetet më të varfra në botë tani po përjetojnë ndikime të ashpra të klimës”, tha për Associated Press e dërguara e Gjermanisë për Klimën, Jennifer Morgan.
“Pyetja qëndron në atë se si t’i mbështesim këto shtete. Ne duhet të shprehim solidaritetin tonë”, shtoi Morgan.
Shtetet në zhvillim ende po presin nga shtetet e pasura që t’iu ofrojnë 100 miliardë dollarë ndihmë për klimën çdo vit – një objektiv që ishte paraparë të arrihej më 2020.
Ndotësit e mëdhenj, megjithatë prej kohësh i kanë rezistuar idesë se ata duhet të paguajnë për shkatërrimin që po shkaktojnë emetimet e tyre të gazrave serrë në mbarë botën.
Bisedimet në Berlin, që do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura, do të përfshijnë edhe prezantimin e ekspertëve për “dëmet dhe humbjet” dhe më pas ministrat e 40 shteteve do të diskutojnë me njëri-tjetrin dhe do të tentojnë të ndërtojnë besim para samitit të OKB-së që mbahet në nëntor në Sharme el-Sheik.
Takimi në Berlin vjen në kohën kur shkencëtarët thonë se i nxehti ekstrem, që kryesisht javëve të fundit po godet shtetet e hemisferës veriore, mund të bëhet normalja e re gjatë verës, nëse ngrohja globale vazhdon.
Po ashtu, në agjendën e bisedimeve do të jenë edhe burimet e energjisë që janë të rrezikuara nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
Aktivistët e mjedisit së fundi kanë paralajmëruar kundër përpjekjeve të shteteve, sikurse Gjermania, që të përdorin burimet e lëndëve djegëse fosile për prodhimin e energjisë, duke argumentuar se veprimet e tilla minojnë përpjekjet për klimën./REL