Foto: Wikimedia commons

Berlini i uritur mëson të pëlqejë shijet ballkanase

“Është pothuajse gjithmonë e mundur të gjesh çdo lloj ushqimi turk që të mungon”, thotë Gökhan Olkun, i cili tashmë jeton në Berlin.

Ai arriti në Berlin nga Stambolli në vitin 2011, kur ishte 24 vjeç, dhe thotë se përveç ushqimeve të tij të preferuara, numri i madh i bashkëqytetarëve turq në qytet e bëjnë atë të ndihet si në shtëpinë e tij.

Shenja më e kudogjendur në Berlin e emigrantëve gastarbeiter që erdhën në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore është dönerladen, ose döner qebap. Vetëm në Berlin ka më shumë se 4,000 të tillë.

Në ditët e sotme, dyqanet me ushqime të shpejta ndodhen në çdo qytet të Gjermanisë, por turqit e Berlinit pretendojnë me krenari se ishin ata që e kanë shpikur këtë pjatë.

Kjo shpikje e supozuar është vetëm një nga shumë arsyet pse kuzhina ballkanase përbën një pjesë kaq të rëndësishme të historisë së kuzhinës së qytetit, së bashku me traditën gjermane të currywurst – një salsiçe gjermane që shërbehet me keçap speci.

Shpikësit e supozuar të donerit filluan ta shërbejnë këtë meze të lehtë më shumë se 50 vjet më parë. Shumë pronarë dönerläden-i turk tashmë kanë vite të tëra që jetojnë në Gjermani, pasi kanë ardhur si gastarbeiter, ose u janë bashkuar të afërmve në vend, në vitet 1950, 1960 dhe 1970.

Sot, midis 4 dhe 5 milionë njerëz me prejardhje turke përbëjnë 5 për qind të popullsisë së përgjithshme gjermane.

Foto: BIRN/Joshua Callanan.

Shumica e gjermanëve e kanë pranuar me dashuri donerin turk, edhe nëse tensionet kombëtare vazhdojnë.

Turqit e Gjermanisë ankohen shpesh për diskriminim. Kur futbollisti turko-gjerman Mesut Özil bëri një foto me presidentin turk Recep Tayip Erdogan, komuniteti e pa kritikën e përhapur me të cilën ai po përballej si shenjë treguese e diskriminimit me të cilin ata përballen çdo ditë.

Shumë turq të Gjermanisë, të cilët kanë ende të drejtë vote në Turqi, votojnë për Erdoganin. Edhe pse jo të gjithë turqit e Gjermanisë kanë të njëjtën politikë, ata mbështesin kryesisht Erdoganin për shkak të imazhit të tij si mbrojtësi i madh i diasporës turke.

Emigrantët turq dhe arabë shpesh janë viktima të sulmeve të urrejtjes në Gjermani nga ekstremistët e ekstremit të djathtë. Një sulm me armë në një bar shisha në Hanau në shkurt të këtij viti mbetën nëntë të vdekur.

Në lagjen Neukölln në Berli, ku ndodhen shumë dönerläden dhe dyqane të tjera turke dhe arabe, duket sikur secila rrugë ka një karakter të qartë arab, shqiptar, turk apo edhe kaukazian.

Megjithatë, edhe këto vende janë shënjestruar gjithashtu nga ekstremistët e djathtë. Neukölln ka parë të paktën 23 zjarrëdhënie të qëllimshme për arsye racore që nga viti 2016.

Kur në një shpërthim të kohëve të fundit në Sonnenallee mbetën të plagosur rëndë dy burra dhe një pallat i tërë mbeti përkohësisht i pabanueshëm, komuniteti mysliman u zemërua kur policia vendosi se incidenti të ishte një aksident dhe refuzoi të hetonte origjinën e mundshme të krahut të djathtë të këtij shpërthimi.

Një supermarket në Hanover kohët e fundit mori letra, përfshirë kërcënime me vdekje, nga neo-nazistët dhe pas kësaj policia i tha të ë mos shqetësohej për këtë.

Disa i shohin veprime të tilla si provë që policia refuzon të pranojë kërcënimin që përbëjnë ekstremistët e djathtë.

Megjithatë, pavarësisht këtyre shqetësimeve, këto komunitete lulëzojnë dhe pasurojnë lagjet e tyre. Neukölln është bërë një nga zonat më të kërkuara të Berlinit për mundësitë e ushqimit që ajo ofron.

Göhkan Olkun jeton në Neukölln dhe e dashuron shumëllojshmërinë dhe karakterin turk të kiez-it të tij, një fjalë unike në Berlin për lagje. “Kur eci në një rrugë ‘turke’ të mbushur me njerëz, ndihem më mirë kur jam i mërzitur ose i stresuar”, thotë ai.

Ai e konsideron ushqimin turk në Berlin të kënaqshëm, por jo gjithmonë më të mirin. Salcat e “gjermanizuara” të donerave ai i konsideron si “salca gjermane jo të shijshme”.

Ai thotë se tregjet turke janë vendet më të mira për të gjetur përbërës të freskët, më i njohuri është ai përgjatë kanalit Maybachufer në Neukölln.

Olkun u zhvendos në Berlin pjesërisht për arsye politike, ashtu si edhe shumë të rinj turq që kundërshtojnë Erdoganin. Ndryshe nga brezi i vjetër i turqve gjermanë që kanë jetuar në Gjermani për dekada dhe mbështesin Erdoganin, vala e re e turqve në Berlin janë më kritikë, shumë prej tyre kanë frikë se vendi i tyre nuk është më i sigurt për turqit laikë, grupet e pakicave ose kritikët e qeverisë.

Tregu turk në kanalin Maybachufer ka ekzistuar për dekada duke shërbyer produkte të freskëta për banorët vendas dhe turistët. Foto: BIRN/Joshua Callanan

Onur Erol u zhvendos në Berlin sepse ai e pa si mbytës polarizimin politik të Turqisë dhe problemet sociale të saj. Ai i druhej “luftës së hapur de facto kundër liberalëve, laikëve dhe intelektualëve”.

Zeynep – jo emri i saj i vërtetë – një tjetër turke që ka ardhur këtu së fundmi, thotë se kur ajo shkon në një dönerladen dhe kamerieri e pyet nëse është turke, ajo gënjen dhe thotë se është nga Shqipëria – për të shmangur çdo diskutim mbi politikën turke, duke qenë se asaj i duken dëshpëruese zhvillimet në vendin e saj.

Por edhe këta emigrantë të rinj turq, të cilët kanë braktisur atdheun e tyre konservator për Berlinin liberal, kërkojnë shijet e ushqimeve të shtëpisë së tyre kur mbërrijnë në Gjermani.

“Kuzhina turke në Berlin është mjaft e ngjashme me atë në Turqi”, thotë Eroli. “Unë nuk mendoj se ka pasur të njëjtin proces ndikimi të kulturës perëndimore siç thonë se ka pësuar kuzhina aziatike ose indiane. Karakteristikat kryesore janë ruajtur!”

Atij i mungojnë më shumë perimet e freskëta dhe vaji i ullirit shumë i mirë turk.  Ushqimi turk në Berlin është shumë i përqendruar  te mishi dhe atij i mungon kultura e mezeve, ku shërbehen pjata të vogla shpesh me perime.

Por kur e pyet nëse ka ndonjë gjë nga Turqia që ai nuk e gjen dot në Berlin, përgjigjja është: “Jo”.

Përzierjes i shtohen edhe shijet ballkanase

Emigrantët turq nuk janë të vetmit që kanë lënë gjurmë në skenën moderne të kuzhinës në Berlin.

Shumë emigrantë të tjerë të Europës Juglindore e kanë bërë qytetin shtëpinë e tyre. Dhe këto dy skena ushqimi mbivendosen, duke pasqyruar trashëgiminë e shekujve të sundimit të përbashkët osman.

Fundi i sundimit osman dhe krijimi i shteteve të Ballkanit krijuan gjithashtu shumë “kuzhina” të reja. Mund të ketë një “narcizëm ndryshimesh të vogla”, siç tha Frojdi.

Shumë vende të Ballkanit garojnë për të qenë themeluesit e një morie shijesh të mrekullueshme. Një udhëtim në një ose dy vende të rajonit zbulon se ajo që zakonisht në Perëndim njihet si kafe turke, në Bosnje njihet si “kafe boshnjake”, për shembull.

Por cilat janë ndryshimet e kuzhinës ballkanase në Berlin? Ajvari, “havjari vegjetarian” i bërë nga speca dhe patëllxhan, është në dispozicion në pothuajse çdo supermarket gjerman në ditët e sotme. Nuk nevojitet ndonjë dyqan specialitetesh për ta blerë atë.

Por Dragan Denda, një boshnjak që punon në një biznes të ri teknologjie në Berlin, thotë se nuk është e njëjta gjë. “Më mungon ajvari i mirë i përgatitur në shtëpi. këtu është e pamundur që ta gjesh. Gjërat e blera në dyqan thjesht të trishtojnë, pasi ke provuar një të tillë të përgatitur në shtëpi”, thotë ai.

Zinxhirët kryesorë të supermarketeve gjermane pjekin gjithashtu burekstangen, byrek në formë të gjatë, të pjekur çdo ditë, tani një element kryesor i përditshëm gjerman në jetën e njerëzve.

Por sllavët e jugut thonë se ushqimi ballkanas nuk është ushqim turk. Siç shpjegon Denda: “Kuzhina turke i ngjan shumë ushqimit ballkanas, por nuk është e njëjta gjë. Byreku është një shembull kryesor i kësaj. Nuk di t’ju them sa herë kam shpresuar dhe jam zhgënjyer kur e kam provuar.”

Në restorantet ballkanase, Denda e gjen menunë mjaft autentike, përveç përdorimit të çuditshëm të ndonjë përbërësi që është i vështirë për t’u gjetur, siç është zëvendësimi i kajmakut – një djathë tradicional i lëngshëm, i cili përgatitet me qumësht të pa pasterizuar – me krem fresh.

Megjithatë, problemi më i madh për të është byreku. “Vendet që kanë byrek, kanë një byrek të mirë, por nuk është asgjë krahasuar me atë që mund të hash në Sarajevë”, ankohet ai.

Përsa i përket ushqimit ballkanas, në Berlin mund të gjesh shumë më tepër se sa dönerladen turk. Çdo kiez ka një restorant ballkanas. Këto vende variojnë nga skarat ku mund të hash lirë dhe të pish birrë, e deri te restorantet më të rafinuara.

Skarat e Ballkanit pretendojnë se shërbejnë specialitete kroate, boshnjake ose serbe, duke servirur pjata mikse me raznjici, – mish i pjekur në skarë – cevapcici – mish i grirë – dhe djuvec – një pjatë me oriz – por shumë prej tyre gjithashtu shërbejnë edhe schnitzel, i cili nuk është i huaj për shijet gjermane.

Restoranti Adinit në Schöneberg pretendon se shërben “specialitete gjermane dhe ballkanase”.

Menaxheri i një restoranti kroat në lagjen Friedenau thotë se familja e tij erdhi nga Dalmacia në 1972.

Ashtu si me shumë gastarbeiter jugosllavë, ata punuan për vite me radhë në ndërtim para se të hapnin një restorant kroat. Ata bënë për shumë kohë një jetë tepër modeste.

Familjet kroate që janë natyralizuar në Gjermani zakonisht kanë një anëtar të familjes ose mik që zotëron një skarë, kështu që familja ka gjithmonë një vend të njohur ku mund të mblidhet. Menutë kryesisht kanë mbetur të njëjtat për vite me radhë, me vetëm disa receta vegjetariane të shtuara kohët e fundit.

Po dalin nga moda

Një kafene shqiptare në Sonnenallee, shumë kafene dhe bare shisha pretendojnë se janë në shënjestër të padrejtë të bastisjeve nga ana e policisë. Foto: BIRN/Joshua Callanan

Bosiljka Schedlich erdhi në Gjermani në vitin 1968 në moshën 19 vjeçare me një kontratë pune me AEG Telefunken për një vit, për të fituar para që të mund të vazhdonte studimet e saj kur të kthehej në Zadar. Ajo përfundoi duke qëndruar këtu.

E lindur në fshatin malor të Divojevicit, ajo thotë se shija ballkanase është ndryshe dhe se skarat ballkanase përfaqësojnë vetëm njërën anë të kuzhinës.

Ashtu si Onuri, ajo beson se ato përqendrohen shumë te mishi dhe jo aq sa do të dëshironte ajo te perimet dhe vaji i freskët. Ajo gjithashtu mendon se ato po dalin nga moda me ambientet e tyre të brendshme të errëta dhe shpesh të zymta. “Jemi në epokën e dritës. Njerëzit këtë duan”, thotë ajo.

Ajo druhet se skarat e stilit të vjetër nuk pasqyrojnë ndryshimet shoqërore dhe prirjen e të rinjve për të ngrënë më pak mish. Ajo preferon të gatuajë receta si ato që përgatit nëna e saj, me perime dhe vaj nga ishulli i Sipan, ku ajo ka një shtëpi.

Dhe të gjithë ballkanasit e Berlinit vërejnë se ndërkohë që kuzhina gjermane bazohet në vakte individuale, ushqimi ballkanas shpesh bëhet për t’u ndarë me të tjerët në racione të mëdha.

Dragan Denda thotë se ushqimi për të në shtëpi, ndryshe nga ajo që ndodh në Gjermani, ka të bëjë me racionet e mëdha dhe familjen. “Këtu ushqimi nuk gatuhet kurrë me bollëk, por gatuhet për një ose dy persona dhe unë e ndiej mungesën e atij bollëku”, vëren ai.

Por ndoshta kjo frymë individualizmi ishte ajo që e solli atë në Berlin. “Më pëlqen qyteti, liria dhe dashamirësia, por edhe anonimati”, pranon ai.

Për Bosiljkën, ushqimi në fund të fundit, ngado të vini, ka të bëjë me njerëzit.

“Unë kam jetuar me emigrantë dhe gjermanë për 51 vjet. Ha dhe pi me njerëz që vijnë nga pjesë të ndryshme të botës tonë. kjo është ajo që më pëlqen”, thotë ajo. Berlini është vendi i përsosur për këtë. (reporter.al)