FOTO: Broshura, TC Kosova e Re, MZHE 2017

Berishaj: Rasti ndaj TC Kosova e Re, 'patate e nxehtë' në duart e qeverisë së re

Koordinatori i Politikave Energjetike dhe të Klimës në “Climate Action Network (CAN) Europe”, Viktor Berishaj, e ka komentuar vendimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për të hapur rast ndaj Kosovës për ndihmë të paligjshme shtetërore për projektin e termocentralit “Kosova e Re”.

Berishaj ka thënë se Sekretariati ka konfirmuar një ndër brengat kryesore që kanë të bëjnë kushtet e kontratës për ndërtimin e TC “Kosova e Re”.

“Kushtet e kontratës nuk kanë si të interpretohen ndryshe përveç si ndihmë shtetërore, gjë që bie ndesh me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, ashtu edhe obligimeve ligjore ndërkombëtare që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë”, ka deklaruar Berishaj për KALLXO.com.

Më tej, Berishaj ka shtuar se kushtet që i janë ofruar kompanisë “Contour Global LLC”, i japin favore investitorit duke minuar tregun e investimeve, sidomos atyre të burimeve të ripërtrishme.

Ai ka thënë se nëse kjo kontratë do të zbatohet, barra kryesore do të bartet nga qytetarët e Kosovës.

“E gjithë barra kryesore e kësaj kontrate po që se zbatohet, do bartet nga qytetarët e Republikës së Kosovës përmes çmimeve astronomike të faturave të rrymës”, ka potencuar Berishaj.

Gjithashtu, Berishaj ka deklaruar se kjo do të jetë ndër çështjet e para me të cilat do të merret Qeveria e re e Kosovës.

“Kjo çështje do të adresohet në muajt në vijim nga Sekretariati, ndërsa qeverisë së re të Republikës së Kosovës, i bjen që të mirret me këtë ‘patate të nxehtë’, menjëherë posa të formohet. Kjo njëherazi është edhe koha kyçe kur Kosova duhet të precizoj planet e veta afatëgjate lidhur me dekarbonizimin e ekonomisë së Kosovës”, ka përfunduar Berishaj.

Viktor Berishaj

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se në bazë të disa përllogaritjeve totali i garancionit për këtë projekt do të jetë rreth 350 milionë euro.

Garancia shtetërore për pakon financiare për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, kërkon 2/3 e votave të deputetëve të Kosovës.

Tashmë që nga muaji gusht, Kosova është pa Kuvend dhe me një qeveri në detyrë. Derisa nga zgjedhjet e 6 tetorit doli fitues Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk kemi ndonjë marrëveshje për koalicion, bisedime të cilat kanë filluar qysh para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Pse nuk e përkrahu Banka Botërore ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’?

Historiku i TC ‘Kosova e Re’

Nënshkrimi i marrëveshjes 1.3 miliardë euro mes Qeverisë së Kosovës dhe Joseph Brandt, drejtorit ekzekutiv të kompanisë amerikane ‘Countur Global’ për ndërtimin e TC “Kosova e Re” është bërë me 20 dhjetor të citit 2017.

Në qershor të vitit 2018, kompania amerikane ‘Contour Global’ ka hapur tender për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë të quajtur ‘Kosova e Re’.

Ndërsa ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka kishte deklaruar që në mars të këtij viti Korporata për Investime Private të Jashtme (OPIC) do të marrë vendimin nëse do ta financojë ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ai ka thënë se OPIC ka aprovuar një studim përmes të cilit shikohen mundësitë e financimit të TC ‘Kosova e Re’ në një vlerë deri në 450 milionë dollarë.

Një vendim i tillë ishte shtyrë për në shtator dhe deri më tani nuk ka ndonjë informacion nëse është marrë një vendim i tillë.

Në muajin maj të këtij viti, konzorciumi i udhëhequr nga “General Electric” është zgjedhur ofertues i preferuar për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’.

Sipas parashikimeve, gurthemeli për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’ duhet të vihet deri në përfundim të vitit 2019, ku kanë mbetur edhe më pak se një muaj.

Afati për përbushjen e kontratës për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’ është deri në muajin maj të vitit 2020. Nëse Kosova nuk i përmbushë obligimet ndaj kompanisë amerikane “Contour Global”, do t’i paguaj asaj 19.7 milionë euro.