Berishaj: Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në tregun energjetik mbarë evropian

Koordinatori i Politikave të Energjisë për Evropën Juglindore në Rrjetin e Aksionit Klimatik (CAN) për Evropë, Viktor Berishaj, i ftuar në konferencën “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, ka thënë se ndryshimet klimatike janë sfidë e shekullit.

Po ashtu ai ka shtuar se Kosova dhe në përgjithësi Ballkani Perëndimor duhet të përfshihet në tregje të lira energjetike mbarë evropiane.

“Kosova është në udhëkryq. Neve na duhet ta definojmë cakun afatgjatë që Kosova dëshiron me arrit. Shoqëria civile ka ofruar zgjidhje, ka kërkuar tryeza por nuk kemi mundur ta ngritim vetëdijen për me qenë largpamës. Kjo është sfida e shekullit, ndryshimet klimatike. Nuk jemi te detyruar të bëjmë asgjë, varet prej vullnetit politik. Gati 87% të gazrave serrë që i ka Kosova, 60 apo 70% e tyre vjen prej Kosovës A dhe B. Hapi i parë që duhet të bëjmë është se duhet të vendosim se kur duhet t’i ndalim këto termocentrale, por sigurisht që duhet të ketë edhe burime që me arrit cakun e mbulueshmërisë. Ballkani Perëndimor duhet me kuptu që nuk është ishull dhe duhet të krijojë treg mbarë evropian energjetik. Kosova duhet të mbështetet në tjera shtete kur ka nevojë për mbulueshmëri. Integrimi i tregut rajonal është mëse i domosdoshëm”, ka thënë Berishaj.

Viktor Berishaj – BIRN

Në konferencën e moderuar nga Visar Prebreza morën pjesë Viktor Berishaj – Koordinator i Politikave të Energjisë për Evropën Juglindore në Rrjetin e Aksionit Klimatik (CAN) Evropë, Shend Boshjnjaku – Drejtor ekzekutiv i Green Energy Kosova dhe përfaqësues i OSHC (çështjet mjedisore), Lulzim Syla – CEO Elen (TBC), Albena Reshitaj – Deputete e Kuvendit të Kosovës dhe anëtare e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Hana Xhemajli – Hulumtues i Politikave Shëndetësore (TBC)

Reshitaj: Problemet mjedisore kanë adresë e emër të shkaktarëve të tyre

Kjo konferencë u organizua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021”, aktivitet brenda projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”. “Ditët e Energjisë së Gjelbër.

Temat e trajtuara në konferencën e diskutimit ishin të fokusuara në shëndetin dhe mirëqenien e mirë e popullatës, energji e pastër dhe financiarisht e përballueshme, si dhe qytete dhe komunitete të qëndrueshme. Në këtë konferencë do të diskutohet mbi lidhjen e ngushtë mes qëllimeve të caktuara drejt zhvillimit të qëndrueshëm, progresit të cilin Kosova e ka bërë deri më tash dhe hapat që Kosova duhet t’i ndërmarrë drejt arritjes së këtyre qëllimeve dhe rrjedhimisht energjisë së pastër dhe popullatës së shëndetshme.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian. Ky botim është pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021” që mbahet nga 28 qershori deri më 7 korrik 2021, brenda projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.