Kastriot Berisha

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Berisha tregon për dënimet e bizneseve pas raportimeve në KALLXO.com

Mbi 300 biznese të inspektuara dhe mbi 200 mijë euro gjoba të shqiptuara janë rezultatet e projektit të përkrahur nga Ambasada britanike për mbikëqyrjen e Administratës Tatimore të Kosovës.

Këto të dhëna po shpalosen në emisionin e KALLXO.com. nga njëri nga autorët e raportit për ATK-në, Kastriot Berisha.

Berisha tha se këto ndëshkime kanë ardhur pasi qindra qytetarë i kanë besuar platformës KALLXO.com dhe kanë raportuar parregullsitë tatimore duke filluar nga evazioni fiskal, mosdeklarimi i punëtoreve e deri te mospagesat e Trustit pensional.

“Ne në KALLXO.com deri me tani kemi pranuar rreth 300 raportime nga ana e qytetarëve, pasi janë analizuar dhe trajtuar janë dërguar në ATK dhe si rezultat i këtyre raportimeve janë mbi 200 mijë euro gjoba të shqiptuara nga ATK-ja “, tha Berisha.

Përpos gjobave ai deklaroi se vetëm gjatë këtij viti si rezultat i raportimit të qytetarëve janë hasur mbi 30 punëtorë të cilët nuk kanë qenë të raportuar apo kanë qenë pa kontrata pune.

Sipas tij të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2020 si rezultat Pakos emergjente gjatë pandemisë janë regjistruar mbi 19 mijë punëtorë të rinj të cilët kanë qenë duke punuar në të zezë.

Ai shtoi se gjatë këtyre tre viteve është bërë një punë e mrekullueshme me inspektorët tatimorë pasi është shfaqur puna e tyre në terren të cilën nuk kanë pasur mundësi ta shohim më parë qytetaret e Kosovës.

Berisha tha se askush nuk do ta besonte se inspektorët tatimorë dalin në orën 1:00 të mëngjesit dhe zhvillojnë kontrolle në diskoteka dhe salla të dasmave.

 

Të gjitha këto u shfaqën para publikut pasi shumë qytetarë kishin raportuar për shmangien tatimore nga ana e këtyre bizneseve.

Pamjet e këtyre aksioneve ishin publikuar në tetor të vitit 2019 në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Këtë muaj Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe organizata Demokraci Plus kanë publikuar raportin e monitorimit të Administratës Tatimore të Kosovës.

Raporti titullohet “Evazioni në Punësime”, për shkak të problemeve të ATK-së me procedurat e Rekrutimit dhe parregullsive të cilat janë konstatuar në konkurset e fundit.

Gjetjet e këtij raporti tregojnë se ATK vazhdon të ketë probleme me disiplinimin e zyrtarëve të saj, aty tregohet se në shumë raste vërejtjet të cilat jepen nga menaxheret shpeshherë nuk janë të arsyetuara siç duhet.

Tutje raporti tregon se masat disiplinore të shqiptuara shpeshherë nuk janë në përputhje me shkeljen e kryer pasi masat janë më të lehta se sa realisht do të duhet të ishin.

Pjesë e raportit janë edhe hulumtimet e publikuara gjatë vitit 2020 në të cilat ishin shfaqur dyshimet për mos deklarim të pasurisë nga ana e dy zyrtarëve të lartë të ATK-së.

Të dhënat tregojnë se ATK vazhdon të ketë probleme me fiskalizimin e bizneseve pasi gati gjysma e bizneseve në Kosovë vazhdojnë të jenë të pa fiskalizuara.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni duke klikuar në këtë link.