Besnik berisha, avokat. Foto: Kallxo.com

Berisha: Rugova është tërhequr nga nënshkrimi i kontratës për kompaninë e vëllait

Pak pasi Gjykata e Pejës ka aprovuar propozimin e Prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media.

Rugova po dyshohet se ka kryer veprat penale konflikt i interesit, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale falsifikim i dokumentit zyrtar si dhe ndaj të pandehurit L.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim i dokumentit zyrtar.

Avokati i Haki Rugovës, Besnik Berisha tha se ai është persekutuar.

“Z.Rugova është persekutuar dhe ajo që i ka ndodhur atij nuk duhet t’i ndodh askujt. Rugova është aty jo pse nuk ka bërë krim sepse dikush për një qëllim ka dashtë me ia vënë prangat në kohë dreke në orar zyrtar, ai ftohet në telefon për ta kuptu vendndodhjen e tij, për 1 orë e gjysmë është paraqitur në Prokurori. Rugova ka ardhur me iu përgjigj ftesës së tyre dhe iu ka përgjigje pyetjeve të tyre”, deklaroi Berisha.

Më tej ai, numëroi dyshimet që janë ngritur nga prokurori kundrejt Rugovës të cilat Berisha tha se nuk qëndrojnë. Berisha deklaroi se edhe po të donte, Rugova nuk do të mund t’ia jepte tokën me qira kompanisë së vëllait të tij “Macon”, nuk do të mundte për shkak se ajo duhet të kalojë nga Kuvendi Komunal.

“Rugova pandehet se si kryetar lidhur me dhënien në shfrytëzim të një prone në pronësi të komunës, me një rekomandim ka konsumu konflikt interesi. Unë kam listën me të gjitha pronat e dhëna me qira, një dosje të tillë e kam dorëzuar në Prokurori. Haki Rugova edhe po të donte nuk mund t’i jap askujt pronë pa e kalu në organin vendimmarrës, Kuvendi i Komunës, dhënia me qira e pronës për kompaninë “Macon” daton para mandatit të tij si kryetar i Komunës. Për këtë pronë jo vetëm që nuk ka vendos Rugova, asnjë person nga kabineti i tij, ajo është bërë përmes ankandit, Macon ka ofru çmimin më të lartë”, ka deklaruar Berisha.

Më tej, Berisha potencoi se Rugova për të qenë në përshtatshmëri me ligjin është tërheqë nga nënshkrimi i kontratave për kompaninë e vallait të tij “Macon” dhe kompani të tjera për shkak të lidhjeve familjare. Po ashtu, Berisha tha se për herë të parë një person akuzohet për dy vepra korruptive pa treguar se cili është dëmi ndaj shtetit.

“Për herë të parë dorëzohet një akuzë për korrupsion por nuk thuhet që është bërë asnjë dëm ndaj shtetit”, deklaroi Berisha.

Pikën tjetër për të cilin dyshohet Rugova, avokati Berisha ka thënë se lidhet me ndërrim të ngastrave nga mal në tokë me qëllim të përfitimit.

“Lidhet me një fakt tjetër tmerrues, cila është padijenia, ku pandehet që ka kry keqpërdorim, si person zyrtar me qëllim të përfitimit, ka bërë ndërrimin e ngastrave nga mal në tokë, me qëllim të shmangies së marrjes së pëlqimit nga KPMM-ja”, ka thënë Berisha.

Ai deklaroi se kryetari nuk ka qasje në ndërrimin e ngastrave nga mal në tokë.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, për arrestimin e kryetarit të Istogut, Haki Rugovës, ka thënë se është bërë me qëllime politike, për ta dëmtuar atë dhe partinë që ata e drejtojnë.

“Arrestimi është kryer në ditën kur është diskutuar në parlament 100-ditëshi i Qeverisë. Është një qeveri pa asnjë aferë korruptive. Me këtë është munduar të njolloset qeverisja e LDK-së”, ka thënë Mustafa në një konferencë për shtyp bashkë me avokatin e Haki Rugovës, Besnik Berishën.

Sot, Gjykata e Pejës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj Rugovës dhe një zyrtari tjetër komunal.

Kryetari i Istogut është arrestuar të premten nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi dhe falsifikim të dokumenteve.