Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Berisha: Rasti i ngacmimit seksual në Malishevë nuk do të duhej të shkonte në ndërmjetësim

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet historia e ngacmimit seksual të një nxënëseje në Malishevë.

Kastriot Berisha nga Zyra Ligjore e KALLXO.com thotë se ky rast nuk do të duhej të shkonte në ndërmjetësim.

“Parimisht ky rast nuk do të duhej të shkonte në ndërmjetësim. Edhe pse Kodi i Procedurës Penale e ka paraparë ndërmjetësim si metodë alternative të zgjidhjes së çështjeve penale që dënohen deri në 3 vite burgim, një rast i tillë nuk do të duhej të shkonte për shkak se në këtë rast kemi një rrethanë rënduese dhe mësimdhënësi konsiderohet person i cili do të duhej ta edukonte nxënësen dhe jo ta ngacmonte seksualisht”, tha Berisha.

“Si i tillë edhe dënimi është më i lartë sepse kemi një kufi ligjor që i dallon ngacmimet e tjera seksuale dhe rrjedhimisht nuk është e logjikshme se si ky rast ka shkuar në ndërmjetësim e aq më tepër mënyra qysh është vepruar dhe profesori me dhënë mësim në shkollën ku ka qenë”, ka shtuar ai në “Kallxo Përnime”.