Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Berisha: Qeveria duhet të ndajë mjetet për pagat jubilare pasi paditë po shtohen dhe buxheti po dëmtohet

Në emisionin “KallxoPërnime” është diskutuar për pagat jubilare të mësimdhënësve dhe të mjekëve të cilat janë në procese gjyqësore.

Zyrtari ligjor i BIRN, Kastriot Berisha, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ndajë buxhetin adekuat që pagesat të bëhen me kohë e jo rastet të dërgohen në gjykata.

“Është më mirë që Qeveria e Kosovës të ndajë buxhetin adekuat dhe të ndaj buxhetin për nivelin komunal dhe që të paguhen këto me kohë, për shkak se pasi që po përfundojnë rastet në gjykatë llogaritet kamata dhe këto gjëra i kushtojnë shumë buxhetit sesa në mënyrë vetë vetiu që Qeveria të reagojë dhe t’i paguaj”, ka deklaruar Berisha.

“Qeveri e Kosovës duhet me marrë me seriozitet shumë të madhe çështjen e pagave jubilare dhe që të mos lejojë që të vazhdohet me ushtrimin e padive nëpër gjykata, pasi që pothuajse çdo padi, e cila po paraqitet në gjykatë është duke u fituar nga personeli i arsimit dhe shëndetësisë”, ka thënë Berisha.

Në anën tjetër, Afrim Shala, gjyqtar në Gjykatën e Apelit ka bërë apel që Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera të marrin më seriozisht këtë çështje.

“Ne jemi duke u përballur me një numër shumë të madh të rasteve dhe në të gjitha raste është kriju një lloj praktike se si duhet të veprohet, në të gjitha rastet është vendosur një lloj praktike që të njihet mësimdhënësve kjo e drejtë”, ka thënë Shala.

Që nga nënshkrimi i kontratës kolektive mes Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit, komunat janë ngarkuar me pagesën e pagave jubilare edhe përkundër që Qeveria e Kosovës nuk ndan buxhet për këtë çështje.

Pagat jubilare nuk ndahen paraprakisht kur nga komunat por mësimdhënësit i dërgojnë rastet në gjykata dhe çdo vit komunat paguajnë mijëra euro nga buxheti i tyre vetanak.