Kandidati i koalicionit AAK-Nisma, Zafir Berisha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Berisha: Policët serbë që kanë dhënë dorëheqje me urdhër të Vuçiqit s'kanë vend në Policinë e Kosovës

Kandidatët për deputetë nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal, në emisionin “Debat Përnime”, më 17.01.2025, kanë shpalosur disa nga prioritetet në fushën e sigurisë.

Pjesë e këtij diskutimi ishte edhe çështja e policëve serbë, të cilët në vitin 2022 kishin dorëzuar uniformat e Policisë së Kosovës.

Kandidati për deputet, Zafir Berisha, lidhur më këtë tha se ata policë që kanë dhënë dorëheqje me “urdhër të Aleksandër Vuçiqit” nuk kanë më vend në Policinë e Kosovës.

Për inkuadrimin e tyre në Polici, sipas Berishës, të dorëhequrit duhet t’iu nënshtrohen procedurave.

“Konsideroj se kjo është një kapitull i mbyllur. Këta që e kanë lëshuar Policinë me urdhër të Vuçiqit, mendoj se nuk kanë vend në Policinë e Kosovës… Ata duhet t’i nënshtrohen një procedure të rregullt të inkuadrimit dhe natyrisht duhet të përshtaten me realitetin që është krijuar.” – ka thënë Berisha.

Tutje, ai foli edhe për çështjen e Vetting-ut në Policinë e Kosovës.

“Drejtoria Përgjithshme dhe mekanizmat udhëheqës brenda Policisë, në momentin e avancimit në pozicione të ndryshme do ta kenë edhe certifikatën e pastërtisë, që nënkupton duhet me i kalu disa filtra, që për fatin e keq deri tash nuk janë bërë.” – tha Berisha.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

“Direkt në NATO”: Plani i koalicionit AAK-Nisma për sigurinë në Kosovë