Berisha: Partitë politike s'duan të dinë për politika të gjelbërta

Dajana Berisha nga koncorsiumi i shoqërisë civile, KOSID, tha se organet udhëheqëse nuk duan të këshillohen nga organizatat e shoqërisë civile.

“Partitë politike nuk kanë dhe nuk duan të dinë se ka politika të gjelbërta dhe politika të qëndrueshme të nevojshme absolutisht shumë për Kosovën. KOSID për një dekadë ka punuar, ka avokuar, ka informuar një numër ministrash me të cilët kemi pasur komunikim por realiteti është nuk kanë dashur jo që s’dëshirojnë”, tha Berisha.

Ajo në debatin me mikrofon të hapur që u organizua në Pejë tha se si organzatë kanë ofruar edhe paketë zgjidhjeje për problemet me energjinë dhe mjedisin por sipas saj s’janë marrë parasysh nga asnjë institucion.

“Ne kemi ofruar si zgjidhje një paketë me katër hapa, e para është që secila qeveri me mendu që para fillimit të ndërtimit të një termocentrali me thëngjill që e fut Kosovën në 40 vjetët e ardhshme në kredi financiare, por gjithashtu e merr edhe krejt ujin e Ujmanit për me i ftoh turbinat, shkakton zhvendosjen e popullsisë lokale, prishë tokën bujqësore, ndotje të ajrit”, tha Berisha.

Ajo shtoi se në Kosovë shumica e shtëpive janë pa izolim.

“Në vend se të mendohet një ndërtim i tillë duhet të bëhet një izolim i shtëpive në gjitha Kosovën sepse mos izolimi bën një shpërdorim të madh të energjisë elektrike. Kosova ende nuk ka studim fizibiliteti se cila është nevoja për energji elektrike, që përdoret për ngrohje më së shumti. Kjo do të hapte edhe vende pune për të rinjtë që janë papunë”, tha ajo.

Berisha tha se si energji alternative më e preferueshmë në Kosovë është ajo me diell dhe erë sepse energjia hidrike, e cila po mundohet të investohet po varrosin kapacitetet ujore që i ka Kosova.