Berisha: Nuk e di çfarë shkelje të tjera duhet të ndodhin që një gjyqtar të largohet nga puna

Në emisionin “Kallxo Përnime” po debatohet për gabimet e gjyqtarëve dhe ndikimet e tyre në sistemin e drejtësisë.

Kastriot Berisha, nga zyra ligjore e BIRN-it, ka folur për shkeljet që bëjnë gjyqtarët dhe dënimet të cilat i marrin.

“Realisht nuk e di se çka duhet të bëjë tjetër një gjyqtar që Këshilli ta përjashtojë nga puna, që me e propozu te presidenti që me e shkarku nga puna. Nuk e di çka mund të jetë ajo shkelje ligjore e një gjyqtari që ai të largohet. Deri më tash kemi parë shkelje flagrante që kanë bërë gjyqtarët mirëpo akoma asnjë nuk është larguar nga puna nga Këshilli Gjyqësor”, ka thënë Berisha.

Kastriot Berisha ka komentuar punën e Këshillit Gjyqësor dhe dënimet të cilat i kanë lëshuar.

“Mënyra se si është duke vepruar Këshilli Gjyqësor na lë përshtypjen se kemi nevojë që të hartojmë edhe një udhëzues për politikën ndëshkimore në raste disiplinore”, tha ai.

“Kemi bërë analizë edhe në të kaluarën për mungesën e vendimeve adekuate ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Para disa muajve kemi bërë publik një hulumtim tonin, në të cilin kemi parë që përkundër shumë provave të cilat i kemi dërguar, përkundër shumë pretendimeve që ia kemi bashkëngjitur Këshillit Gjyqësor, i cili e ka gjetur përgjegjës gjyqtarin vetëm për dy pika të pretendimeve”, ka thënë Berisha.

Zyrtari ligjor ka thënë se për t’u gjykuar një rast maksimalisht duhet të shkojë deri në tre muaj.

“Këto raste në Kosovë po zgjasin me vite të tëra, pasi po kthehen në rigjykim, po duhet që të pritet që të caktohet seanca, të rigjykohet, andaj deri sot nuk kemi parë ndonjë rast në të cilin ndonjë gjyqtar është ndjekur në përgjegjësi disiplinore për shkeljet ligjore”, tha Berisha.