Kastriot Berisha

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Berisha: Institucionet që duhet t’i mbrojnë gazetarët po i ndjekin penalisht

Gazetari dhe monitoruesi i rasteve gjyqësore Kastriot Berisha ka thënë se raporti i fundit i Departamentit amerikan të Shtetit për mediat është alarmues dhe shqetësues.

Ai në emisionin Info Magazine në Klan Kosova tha se së fundmi kemi pasur një rast kur organet që do duhej të mbronin mediat i kanë ndjekur penalisht.

“Raporti është alarmant  dhe shqetësues, sulmet ndaj gazetarëve janë shkelje e lirisë së mediave dhe trajtimi i këtyre rasteve edhe nga sistemi gjyqësor  ka pasur ngecje të vazhdueshme. Së fundi kemi pasur rastin kur organet që do duhet të mbronin gazetarët kanë ndjekur penalisht një media e cila akuzohet se ka  shpërndarë lajme të rreme. Kjo është sulm ndaj fjalës së lirë dhe organet duhet të reflektojnë në këtë drejtim”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, në katër vitet e fundit janë zgjidhur vetëm 3 aktakuza nga 18 gjithsej lidhur me rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.

“Në katër vitet e fundit sistemi prokurorial ka pasur vetëm 18 aktakuza në raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Përpos kësaj, tjetër gjë alarmante është edhe fakti se prej këtyre 18 aktakuzave vetëm 3 janë zgjidhur ku ka pasur aktgjykime dënuese, të cilat kanë qenë të buta”, shtoi tutje Berisha.

Në raportin e përvitshëm, Departamenti i Shtetit theksoi se gjatë vitit 2021, gazetarët në Kosovë u përballën me vështirësi për të siguruar informacion nga qeveria e vendit.

Raporti gjithashtu thekson se ndonëse qeveria në përgjithësi e respektoi të drejtën e shprehjes, në disa raporte të besueshme thuhet se “disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias”.

DASH: Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria