Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Berisha: Do t’i vaksinojmë edhe banorët e Preshevës dhe Medvegjës që jetojnë në Fushë Kosovë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë Kosovës dhe kryetari aktual i saj, Burim Berisha ka thënë në Debat Pernime se do të fillojë vaksinimi edhe i banorëve të Preshevës dhe Medvegjës që jetojnë në Fushë Kosovë.

“Për banorët e Preshevës dhe Medvegjës, ne do t’i vaksinojmë edhe pse Ministria e Shëndetësisë nuk na lejon”, ka thënë Berisha.

Kjo deklaratë e Berishës ka ardhur pasi Hasan Ismajli nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar qeverisjen aktuale se nuk po i lejon banorët e Luginës që të vaksinohen kundër COVID-19 për shkak se nuk kanë dokumente identifikimi të Republikës së Kosovës.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Fushë Kosovës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Fushë Kosovës: Burim Berisha nga LDK; Enver Bajçinca nga LVV; Hasan Ismajli nga AAK; Rrahim Tërnava nga PDK. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës: Aida Alimi nga PDK; Vildane Latifi nga AAK; Vjollca Breznica nga LVV; Vjollca Konjusha nga LDK. 

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.