Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Berisha: Do të jap dorëheqje nëse më ngrisin aktakuzë

Kandidati i Nismës Socialdemokrate për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, ka dhënë disa zotime në DebatPernime përballë Jeta Xharrës.

Berisha ka thënë se do të jap dorëheqje nëse do t’i ngritet aktakuzë atij dhe drejtorëve të emëruar nga ai.

Po ashtu, kandidati i Nismës Socialdemokrate ka thënë se do të nisë procedura disiplinore për zyrtarët ndaj të cilëve janë gjetur shkelje nga Auditori.

Jeta Xharra: Kush po ua financon fushatën?

Zafir Berisha: Vet.

Jeta Xharra: A jepni dorëheqje nëse ju ngrisin aktakuzë?

Zafir Berisha: Po.

Jeta Xharra: A i shkarkoni drejtorët e komunës nëse ju ngritet aktakuzë?

Zafir Berisha: Po.

Jeta Xharra: Kur do t’a publikoni listën e uzurpatorëve të pronave komunale?

Zafir Berisha: Javën e parë.

Jeta Xharra: A do t’a vendosni kriter të plotë që drejtorët e shkollave të jenë apolitik?

Zafir Berisha: Jo. Politik, nuk jemi këtu për me rrejtë e me thonë që familjarët i kemi për dasma e për kanagjegje. Unë me kohë po tregoj, drejtorat kanë me qenë politik por natyrisht para se me qenë politik me qenë profesionalisht të përgatitur.

Jeta Xharra: A do të nisni procedura disiplinore për zyrtarët e komunës për të cilët raporti i auditorit ka gjetur shkelje?

Zafir Berisha: Ditën e parë.

Jeta Xharra: Cili do jetë vendimi i parë që keni me e marrë si kryetar i komunës?

Zafir Berisha: Prerja e të kaluarës kriminale të qeverisjes së deritanishme. Duhet me i kqyrë krejt hajnat që deri tash duhet me ua bo gati dosjet edhe me ua çu në organet e shtetit.

Jeta Xharra: A vjen në debat nëse i fitoni zgjedhjet? 

Zafir Berisha: Pa diskutim, asnjëherë nuk kam mungu.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë karrigen e të parit të Prizrenit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Prizrenit: Afrim Tejeci nga AKR; Anton Quni nga LDK; Milazim Lushaj, kandidat i pavarur; Mytaher Haskuka nga LVV; Shaqir Totaj nga PDK dhe Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Prizrenit: Afërdita Morina nga LDK; Afërdita Spahiu nga AKR; Dafina Bllaca nga PDK; Lirije Bytyqi nga Nisma Socialdemokrate; Mimoza Bushrani nga LVV; Ngadhjesa Bresa nga Lista GUXO dhe Shqipe Kastrati nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.