Kastriot Berisha - BIRN
Berisha: 11 vdekje në vendin e punës më 2022
Në emisionin “Kallxo Përnime” po debatohet për të drejtat e punëtorëve në Kosovë.
Kastriot Berisha nga Zyra Ligjore e BIRN, ka folur për rastet e vdekjeve në vendin e punës dhe hetimin e këtyre rasteve nga institucionet e drejtësisë.
Ai ka thënë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, sipas statistikave, kanë ndodhur 11 vdekje në vendin e punës.
Berisha thënë se hetimet e këtyre rasteve zgjasin më shumë se një vit. Sipas tij, kjo është kohë e gjatë.
“Kemi parë që hetimet në këto raste zgjasin mbi një vit që është jashtëzakonisht shumë duke pasur parasysh që shumica e këtyre veprave shkojnë edhe me dënime deri në tri vite sepse janë nga pakujdesia përveç rasteve që ka pasoja fatale ku dënimi shkon deri në 10 vite. Në këto raste pasi të ngrihet aktakuza kemi pa që shqyrtimi gjyqësor merr kohë shumë që të caktohet” – ka thënë Berisha.
Ai tutje ka thënë se Kodi i procedurës penale ka paraparë që një aktakuzë e tillë duhet të trajtohet brenda 30 ditëve.
“Në 26 rastet që ne i kemi analizuar ka dalë që në mbi 16 raste, shqyrtimi fillestar ka vonuar të caktohet për më shumë se një vit” – ka shtuar ai.
Berisha tutje ka thënë se në bazë të aktgjykimeve ka dalë se prej 26 rasteve të analizuara, në mesin e tyre edhe raste të vdekjeve, në vetëm katër prej këtyre rasteve është shqiptuar dënim me burgim.
Zgjatja e hetimeve, sipas Berishës, ndikon negativisht sepse mund të zhduken provat në vendin e ngjarjes dhe mund të ndryshohen deklaratat e dëshmitarëve.
“Prej momentin kur një punëtor pëson një aksident në vendin e punës, atëherë prokurori i çështjes në shumicën e rasteve që i kemi analizuar ka vonesa në trajtimin e kallëzimeve penale, çka ndikon negativisht sepse shumë prova mund të zhduken nga vendi i ngjarjes e po ashtu shumë dëshmitar të pranishëm mund t’i ndryshojnë deklaratat e tyre sepse janë pjesë e po asaj pune dhe varen nga punëdhënësi i tyre” – ka thënë tutje Berisha.
Ai tutje ka folur edhe për arsyet e rritjes së numrit të vdekjeve në vendin e punës gjatë viteve të fundit në Kosovë.
“Arsyeja kryesore që këto raste janë duke u rritur është dështimi i institucioneve në parandalimin e këtyre rasteve” – ka shtuar Berisha.