Foto: ZPRK

Berger: Gjermania është në favor të liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger.

Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim presidentja ka shprehur falënderimin e saj për Gjermaninë për përkrahjen e vazhdueshme që i ka ofruar Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, duke potencuar se ky shtet mbetet një nga partnerët më të besueshëm të vendit tonë.

Më tej, presidentja Osmani ka përmendur procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, duke theksuar se janë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim dhe se nuk ka arsye për të vonuar edhe më tutje këtë proces.

Në këtë kontekst, sipas komunikatës, presidentja ka theksuar nevojën e thellimit të mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet dy shteteve, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, diplomatik e kulturor.

Sa i përket procesit të dialogut, presidentja Osmani theksoi se prioritet për Republikën e Kosovës duhet të jetë zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë si dhe përmbyllja e procesit me njohje reciproke. Ajo po ashtu potencoi se forcimi i aleancave me shtetet mike është i domosdoshëm për suksesin e vendit tonë.

Nga ana tjetër, Berger e ka vlerësuar pozitive qasjen e institucioneve të Kosovës për të garantuar zhvillim ekonomik dhe përafrim të Kosovës me BE-në.

Sipas tij, Gjermania është në favor të liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës.

Ai gjithashtu ka deklaruar se Gjermania do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Kosovës në fusha të ndryshme dhe se janë të gatshëm për thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimin bilateral mes dy shteteve.

Gjatë ditës, zyrtarin e lartë të diplomacisë gjermane e ka pritur ede kryeministri Albin Kurti.

Sipas komunikatës së Qeverisë, sekretari Berger i shprehu kryeministrit ngushëllime për aksidentin tragjik në Sllavonski Brod të Kroacisë, ku humbën jetën 10 bashkatdhetarë, të cilët po udhëtonin nga Frankfurti për në Prishtinë.

Duke iu falënderuar, kryeministri Kurti i shprehu sekretarit Berger ngushëllime për jetët e humbura në disa pjesë të Gjermanisë, si pasojë e stuhisë dhe vërshimeve shkatërruese.

Rëndësia e bashkëpunimit dhe rritja e investimeve gjermane në Kosovë, ishte temë diskutimi, me theks të veçantë te mërgata e fuqishme në Gjermani, thuhet në komunikatë.

Sekretari Berger e përgëzoi kryeministrin Kurti për indikatorët e mirë ekonomikë të vendit, që siç tha ai, janë impresionues.

Ai tha se Gjermania do të mbështesë Procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët, si formë e bashkëpunimit rajonal, dalë nga Samiti i Sofjes, vitin e kaluar.

Gjatë takimit u diskutua edhe për takimet e fundit në Bruksel dhe për ecurinë e mëtejshme dhe rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.