Qyteti i Beratit, Shqipëri - Qershor 2022 Foto: Emirjeta Vllahiu/ KALLXO.com

Berati, në listën e revistës amerikane ‘Time’ për destinacionet e vitit 2023

Revista prestigjioze amerikane “Time” i ka dedikuar një artikull qytetit piktoresk shqiptar të Beratit, në mesin e vendeve që do të duhet të vizitohen më 2023.

Shtëpi të vjetra prej guri vijojnë brigjet e lumit Osum në Berat, duke mbështjellë vizitorët në bukurinë historike të qytetit, shkruan “Time”.

“Një muze etnografik në një shtëpi tradicionale përballë rrugës ofron më shumë kontekst shqiptar, së bashku me kishat bizantine të shekullit të 13-të të Beratit, xhamitë e shekullit të 16-të dhe një kështjellë mijëvjeçare me pamje nga qyteti unik piktoresk”- thuhet tutje në artikull.

Qyteti i Beratit, Shqipëri – Qershor 2022/ Foto: Emirjeta Vllahiu/ KALLXO.com

Revista amerikane përshkruan, se Berati vazhdon traditën e mikpritjes së jashtëzakonshme në restorantet dhe hotelet e tij.

Në artikull tutje theksohet se ky vit shënon 80-vjetorin e mbërritjes së forcave gjermane në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe të popullit të Beratit që mbron shumë prej hebrenjve të vendit që kërkuan strehim – duke ilustruar parimin e kodit shqiptar të Besës, i cili thotë se shtëpia është para së gjithash e mysafirëve dhe Zotit.

Përzgjedhjes së Beratit nga revista “Time” i është gëzuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Bukuria e lagjeve të gurta, arkitektura, ushqimi, natyra e sidomos historia e këtij qyteti magjik bëhet edhe më e pasur me mikpritjen, humanizmin, dhe qytetërimin, kur beratasit shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të gjitha këto detaje që nxjerr në pah artikulli” – ka shkruar Rama në Facebook.

Qyteti i Beratit, Shqipëri – Qershor 2022, Foto: Emirjeta Vllahiu/ KALLXO.com

Qyteti u bë pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2008.

Berati njihet edhe si “qyteti i 1001 dritareve”.

Qyteti i Beratit, Shqipëri – Qershor 2022/ Foto: Emirjeta Vllahiu/ KALLXO.com