Ismet Beqiri

Beqiri: Zgjedhja e Konjufcës për kryeparlamentar, sinjal se nuk janë të interesuar për koalicion me ne

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka deklaruar se LDK ka lëshuar pe në ndarjen e posteve qeverisëse me qëllim që të arrihet marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje.

Beqiri gjatë një debati në RTV Dukagjini, tha se kanë qenë shumë afër arritjes së formimit të koalicionit me LVV, përveç mosmarrëveshjeve lidhur me ‘zotim për Presidentin’ të cilën e ka kërkuar LDK.

“Nga diskutimet e para është kërku nga LDK që të ketë kryetarin e Kuvendit, një zotim për presidentin dhe pesë me pesë ndarja e ministrive, zëvendëskryeministrin e parë, e që janë pajtuar përveç zotimit për presidentin. Por tash, diskutohet për mundësinë që kryetari t’i kthehet pas një viti LVV-së, një kompromis më të madh se ky LDK nuk ka se si të bëjë”, tha ai.

Zgjedhjen e Glauk Konjufcës në postin e kryeparlamentarit nga LVV, ai ka thënë se LDK e ka quajtur sinjal për mosinteresim për marrëveshje nga ana e LVV-së.

“Ata kanë shku në seancë, e kanë propozu kandidatin pa marrëveshje me ne, dhe ne e morëm si mesazh se ata nuk dëshirojnë më që të bëjnë koalicion me ne. Nëse kishin qenë të interesum e kishin lënë së paku për disa ditë sepse i është kërku meqenëse ishim në negociata”, tha Beqiri.

Ai ka shprehur vullnetin e shumicës së anëtarëve të Kryesisë së LDK-së që të arrihet marrëveshja me Vetëvendosjen.

Sot, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka kërkuar nga LVV që të arrihet marrëveshja deri në fund të kësaj jave, në të kundërtën sipas tij, duhet të konstatohet dështimi.

Mustafa: Deri në fund të javës të arrihet marrëveshja ose të konstatohet dështimi

www.kallxo.com