Ismet Beqiri - Foto: KALLXO.com

Beqiri: LDK do të ngrihet si feniks

Ish-deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në këtë parti.

Beqiri përmes një postimi në Facebook tha se LDK do të bëhet sërish partia kryesore në vend.

“Në mënyrë që të ngritet përsëri nga hiri i tij, Feniksi së pari duhet të digjet. Lidhja Demokratike do të punoj fort që rënien, thyerjen e dështimin ta kthej në forcë, punë e sukses.  LDK do të ngritet sërish në vendin që i takon, si partia kryesore dhe më serioze në vend”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se LDK do të ngrihet si feniks.

“Ju falenderoj të gjithë ju që shpresën e shihni ende tek ne, dhe ky besim i juaji zotohem se do shndërrohet në punë e vullnet për të ardhmen e ndritur të LDK-së e gjithë Kosovës. Kjo është një shans e re, që të ngritemi si Feniks”, ka thënë më tej Beqiri.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sot pralajmëroi se do të tërhiqet nga posti, pas rezultatit të partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LDK-ja ka dalë partia e tretë në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Ajo ka fituar rreth 13 për qind të votave dhe ndodhet shumë larg partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka siguruar rreth 47 për qind.

Kandidat për kryeministër i LDK-së në këto zgjedhje ka qenë kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.