Kandidati i PDK-së Hajdar Beqa. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Beqa thotë se "treni bullgar" ndodhi në dy Qendra Votimi në Gjakovë - Policia: Nuk janë gjetur elemente të veprës penale

Kandidati për Deputet nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa përmes një postimi në Facebook, më 10.02.2025, ka pretenduar për parregullsi në procesin e votimit, në dy Qendra në Gjakovë.

Beqa ka thënë se, sipas vëzhguesve të PDK-së, dyshohet se në Qendrat e Votimit në shkollën “Zekeria Rexha” dhe “Fehmi Agani” ka ndodhur fenomeni i “trenit bullgar”, ku sipas tij partia në pushtet LVV-ja është mbivotuar.

“Sipas raporteve të vëzhguesve të Zgjedhjeve nga subjekti ynë ekziston dyshimi i bazuar që së paku në dy Qendra të Votimit: njëra në shkollën “Zekeria Rexha” dhe tjetra në shkollën “Fehmi Agani” në Gjakovë ka ndodhur fenomeni i ‘trenit bullgar’, nga ku rezulton të jetë e mbivotuar partia në pushtet. Ftojmë organet e Drejtësisë që të merren me trajtimin e këtij rasti dhe presim që shkelësit e Ligjit Zgjedhor të ballafaqohen me sanksionin penal që parasheh Kodi.” – ka shkruar Beqa.

Por, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, për KALLXO.com ka thënë se gjatë ditës së djeshme kanë pranuar ankesa për këto dy Qendra, por Prokuroria nuk ka gjetur elemente të veprës penale.

“Gjatë ditës së djeshme në këto dy lokacione kemi pranuar ankesa. Hetuesit së bashku me Prokurorin kompetent kanë ndërmarrë veprime hetimore. Sipas Prokurorit nuk janë gjetur elemente të veprës penale.” – ka thënë Elezaj.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Prokurorinë e Shtetit dhe kryesuesin e KKZ-së në Gjakovë, Armir Rexha, por deri më tash nuk ka pranuar përgjigje prej tyre.

Gjithashtu, në lidhje me pretendimet e Beqës KALLXO.com ka kontakuar edhe zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.

Në Kosovë, më 09.02.2025 janë mbajtur Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke publikuar në kohë reale numrin e votave të numëruara.

Me 96.45% të votave të numëruara deri në orën 16:04 të ditës së sotme, më 10.02.2025, Vetëvendosje renditet e para, me 333 mijë e 436 vota, apo 41.11%; Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtyre rezultateve, ka marrë 22.28% të votave, apo 180 mijë e 714 vota; Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta deri më tani, me 17.78%, apo 144 mijë e 205 vota; koalicioni AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët kanë 7.46% të votave, apo 60 mijë e 497.

Lajm në zhvillim: Rezultatet preliminare pas numërimit të 96.45% të votave