Benjamin: Nuk dihet qartë se kush e financon dezinformimin në Kosovë
Drejtori Rajonal për Programet e Europës Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Kombëtar të SHBA-së, Robert Benjamin, tha se nuk e kanë të qartë se kush e financon dezinformimin në Kosovë.
Por, ai tha se efekti i vërtetë i dezinformimit është të mbjellë konflikt dhe kjo nuk i duhet Kosovës e asnjë shteti në rajon.
Problemin e dezinformimit po e përjetojnë edhe vende europiane e amerikane, sipas tij.
“Në Ballkan, sigurisht që do ta ofroja Kosovën si një vend që po përjeton jo pak dezinformim. Sllovakia, në fakt, në Europën Qendrore, ka një nivel të jashtëzakonshëm të dezinformimit drejtuar qytetarëve të saj, një anëtare e NATO-s, një vend anëtar i BE-së” – tha ai.
Në këtë drejtim, Benjamin tha se kanë bërë punë me aktorë të ndryshëm, sidomos me shoqërinë civile.
Një prej çështjeve që ai tha se ka dalë në pah është kompleksiteti real i vetë peizazhit mediatik, jo vetëm në gazetarinë televizive por edhe atë të shkruar, duke përmendur migrimin e medias dhe informacionit në mediat sociale.
“Mediat sociale janë një fushë shumë, shumë më e thellë, më e vështirë për t’u kuptuar dhe në të cilën mund të luftohet dezinformimi. Duke thënë të gjitha këto, mendoj se ka çështje që mund të merren parasysh në aspektin e politikave publike dhe rregulloreve” – shtoi ai.
Raporti “Vorbulla e rrenave”, i publikuar nga BIRN Kosova më 27.11.2023, ka hulumtuar dhe ka nxjerrë në pah të dhëna rreth ndikimit të Rusisë dhe Kinës te lajmet e rreme në Kosovë.
NDI është një organizatë jofitimprurëse, jopartiake, joqeveritare që punon në mbarë botën për të forcuar dhe mbrojtur institucionet, proceset, normat dhe vlerat demokratike. Një nga mbështetësit e saj është edhe Departamenti i Shtetit të SHBA-së.
Puna e saj në Kosovë filloi menjëherë pas çlirimit në vitin 1999.