Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Bekim Sele jep dorëheqje nga bordi i RTK-së
4 muaj pasi u votua nga Kuvendi i Kosovës, Bekim Sele ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Dorëheqja e tij erdhi pak ditë pas anulimit të konkursit për drejtor të RTK-së dhe raportimeve që Sele kishte pikë të njëjta në vlerësim me dy anëtarë të komisionit.
Dorëheqjen për KALLXO.com e ka konfirmuar kryetari i bordit, Besnik Boletini i cili ka përcjellë letrën e dorëheqjes së Seles.
Në këtë letër Sele ka thënë se arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë me angazhimet e tij profesionale.
“Përmes këtij e-maili ju informoj për dorëheqjen time nga pozita e anëtarit të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës! Arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë kryesisht me punën time profesionale, me theks të veçantë, angazhimin në sferat e filmit dhe në punët e tjera akademike. Shfrytëzoj rastin të ju falënderoj për besimin dhe bashkëpunimin tuaj gatë kësaj periudhe dhe ju dëshiroj më të mirat!”, thuhet në letrën e dorëheqjes së Seles.
Bekim Sele në një përgjigje për KALLXO.com tha se arsyeja e vetme e dorëheqjes janë angazhimet profesionale.
Sele së bashku më anëtarët e tjerë të bordit janë zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor të 2021.