Bekim Muhaxheri: Poezia është si një turjelë që depërton thellë në jetë 

Gazetari Bekim Muhaxheri ka botuar librin e tij të parë me poezi “Ëndërrat bëhen pranga”, një përmbledhje kjo e vlerësuar edhe nga studiuesit e letërsisë. 

Libri brenda vetes përmbledh poezi me tematika nga më të ndryshmet, që nga përditshmëria, ato sociale, historike- patriotike, e deri te problemet ekologjike etj.  

Në një intervistë për KALLXO.com poeti Muhaxheri flet për rrugëtimin e tij në poezi, përgjegjësinë e të shkruarit dhe mesazhin që duhet përçuar përmes poezisë. 

Muhaxheri thotë se poezia duhet të fluturojë ashtu si ata aeroplanë dhe të lëshohet pikërisht aty ku është menduar të aterrojë.  

KALLXO.com: Sapo keni botuar librin e parë me poezi “Ëndërrat bëhen pranga”. Pse i vutë këtë titull përmbledhjes?  

Bekim Muhaxheri: Titulli është vënë për ëndrrat që nuk realizohen, jo për të gjitha ëndrrat. Kur brenda teje lind një ëndërr, ajo ka shumë gjasa të realizohet, por ne shpesh frikohemi nga realizimi i ëndrrave, frikohemi nga fitorja, nga ngjitja lart, si duket kemi fobi lartësitë, prandaj edhe ëndrrat i shtyjmë për nesër, derisa, siç them në një poezi, “nesër mund të mos ketë më një nesër tjetër”.  

Këto ëndrra të pabëra, pastaj, enden brenda nesh, na pengojnë, zëmë në thua në to, na bëhen pranga… 

Unë për shembull si fëmijë mund t’i kem pasur të paqarta shumë gjëra, por gjithnjë e kam menduar veten si shkrimtar, ndërsa e kam shtyrë kaq shumë daljen e përmbledhjes me poezi. 

Titulli i shkon shumë edhe situatës në të cilën ndodhet ky libër dhe librat e tjerë të botuar së fundmi.  

Bashkë me dy miqtë e mi, edhe ata gazetarë-Mehdi Mulaj e Blerim Rrecaj, patëm planifikuar një promovim të përbashkët të librave tanë. Blerimi ka botuar librin me skica e vargje “Gjurmë kujtimesh e ngjyra stinësh”, ndërsa Mehdiu romanin “Topi”. E kishim caktuar edhe vendin dhe po bëheshim gati të thërrisnim edhe miqtë dhe të njohurit, por virusi ishte më i shpejtë. Kishte plane tjera për ne sivjet.  

Këta libra tash janë të izoluar si ne njerëzit, libra në karantinë, mund ta përjetoj më lehtë një njeri të mbyllur, qoftë edhe veten time, se sa një libër. 

Ëndrrat mund të bëhen pranga edhe sepse jetojmë në një vend që të jep pak mundësi, që edhe nëse nuk t’i vret ëndrrat, i lë ato të presin të mbyllura nëpër sirtarë, ndoshta derisa të vdesin.  

KALLXO.com: Përmbledhja hapet me poezinë ‘(Sh)krim’. Sa, sipas jush, është i rëndësishëm mesazhi që përcjell sot poezia?  

Bekim Muhaxheri: Poezia gjithnjë duhet të ketë mesazh, mesazh të qartë, të fuqishëm, edhe sot, edhe në të kaluarën, edhe në të ardhmen, se poezia kapet më shumë për çaste, për cikërrima, për gjëra të vogla, por të vegjël janë edhe të gjithë gurët e çmuar, të gjitha gjërat e vlefshme.  

Poezinë e konsideroj si një turjelë, si një makinë shpuese që depërton thellë në jetë, ajo është vertikale, siç janë të gjitha shtyllat, të gjitha gjërat që mbajnë pesha, të gjitha këmbët mbi të cilat rrinë urat. Proza më duket horizontale si rrugët, nuk hyn thellë, por është më gjithëpërfshirëse, më e gjerë.  

Prandaj edhe përmbledhja hapet me poezinë “(Sh)Krim”, si thirrje që të ruhemi, të mos rrëshqasim. Jam marrë shumë kohë me gazetari, prandaj e di atë perin e hollë, atë tehun e shpatës që ndan shkrimin nga krimi, e në gjuhën tonë është vetëm shkronja “sh” që e bën këtë dallim.  

Një ndër gjërat e para që mësojmë kur jemi fëmijë është bërja e aeroplanëve prej letre. Gjithmonë librat i kam menduar si të tillë, si gjëra që fluturojnë, ose të bëjnë për të fluturuar kur janë të shkruar ashtu si duhet.  

Edhe poezia duhet të fluturojë ashtu si ata aeroplanë dhe të lëshohet pikërisht aty ku është menduar të aterrojë.  

KALLXO.com: Çështjet ekologjike zënë vend në poezitë e këtij libri. Çfarë mendoni, sa mund të ndikojë letërsia, në këtë rast poezia, në vetëdijesimin e publikut për ruajtjen e ambientit?  

Bekim Muhaxheri: Ne përditë po e shohim se si po e shkatërrojmë botën, se si po i burgosim lumenjtë nëpër gypa, po presim drunjtë, po shkrijmë akullnajat, po mbjellim beton. Se si njeriu po duket i vogël e i frikësuar përballë ngrehinave të larta që vetëm shtojnë katet drejt qiellit.  

Fatkeqësisht nuk po shohim përtej hundës sonë dhe si duket kemi vendosur të mos ua ruajmë dhe dorëzojmë në gjendje të mirë planetin gjeneratave që vijnë.  

Dhe shkatërrimi po ndodh shumë shpejt. Brenda një jete njerëzore. Për shembull, një shok imi me dhimbje tregonte se si në lumin ku vëllai i tij i madh kishte mësuar notin, ai nuk mund as të hyjë për shkak të ndotjes.  

Poezia dhe letërsia duhet ta ndryshojnë për mirë së pari atë që merret me to, e më pas edhe lexuesit. Këtë ndikim e ka poezia ime në mua dhe sidomos ato vjersha që lidhen me natyrën. Një vizitë në Gërmi ma ka lindur poezinë “Pikturë”, ndërsa vështrimi i një peme nga dritarja e autobusit më ka shtyrë ta shkruaj poezinë “Purpur”, sepse ajo pemë më dukej më e lumtur se unë.  

Shpresoj që këta drunj e pemë, këto lule e zogj të mos mbeten veç në poezi, por të jenë këtu edhe për ata që do të vijnë. Sepse nëse Zoti nuk nënshkruan asgjë, e ka krijuar gjithçka, kush jemi ne që ta shkatërrojmë atë që nuk e kemi ndërtuar, por e kemi gjetur gati.  

 Kallxo.com: Përveç poezisë a merreni edhe me zhanret e tjera letrare?  

Bekim Muhaxheri: Kam nisur me poezi, sepse më duket se e kam krijuar një stil personal të shkruarit, ndoshta të pandikuar nga të tjerët.  

Njeriu duhet të shkruajë vetëm nëse ka çfarë të thotë dhe vetëm nëse e thotë atë ndryshe, ashtu siç nuk është parë ndonjëherë nëpër letra. Ai duhet të vazhdojë të shkruajë, veç nëse libri i ardhshëm, është më i mirë, më lart artistikisht se ai që tashmë ka shkruar.  

Unë jam për atë që shkrimtarët të mos e përsërisin as veten, e lëre më të tjerët.  

Në rast se e mbërrijnë majën dhe nuk mund të ngjiten përtej saj, duhet të mos shkruajnë më, e as të mos ndalen atje për ta vështruar botën si zota Olimpi.  

Unë gjithnjë kam dashur të shkruaj edhe romane, por ende nuk kam pasur guximin ta nis ndonjë. Kam të shkruar vetëm ide disafaqëshe, sa për të mos i harruar.  

Po ec nëpër këtë zhanër shumë ngadalë, si nëpër një fushë të minuar. Sepse nuk dua të shkruaj diçka që mund të jetë vetëm kopje e atyre që kam lexuar. Për romane duhet më shumë kohë, mbledhje e informatave dhe mbyllje brenda vetes për të gjetur frymëzim. 

KALLXO.com: Si e shihni zhvillimin e letërsie së sotme shqipe. A po i mungon kualitetit letrar?   

Bekim Muhaxheri: Mendoj se gjithçka në këtë kohë është bërë individuale, ata që shkruajnë nuk duhet më vetëm të shkruajnë, por duhet edhe të gjitha punët tjera (promovimin, shitjen) t’i bëjnë vetë. Dhe njeriu e ka vështirë t’i bëjë të gjitha vetëm.  

Prandaj në këtë kohë të gjithë kësaj dinamike jetësore, me gjithë këtë botë virtuale, më duket se ata që shkruajnë janë më të izoluar.  

Nuk ka më breza letrarë, shkrimtarë që nisën rrugën e shkrimit në të njëjtën kohë dhe që analizohen nga kritikët se çfarë i sollën letërsisë.  

Sot secili është i kapur për veten si për rrjetë merimange. I mjafton vetvetja dhe pavarësisht këtij zhvillimi njerëzor, nuk e di se edhe tjetri pranë tij shkruan, ose ka botuar libra.  

Për letërsinë ndoshta më e mirë ishte koha kur veprohej më ngadalë dhe ai që shkruante e thoshte bukur e pa u trazuar atë që mendonte. 

Interneti e rrjetet sociale na kanë bërë më të sipërfaqshëm e pa thellësi. Të gjitha gjërat tashmë të shkruara në letërsinë tonë e kanë pasur mundësinë të shkruhen më mirë, edhe të ardhmet sido që të shkruhen, gjithnjë kanë hapësirë të jenë të kualitetit më të lartë. Për këtë arsye pas çdo majeje ekziston një majë tjetër për t’u ngjitur. 

KALLXO.com: Thuhet vazhdimisht se ka krizë leximi, se sot lexohet më pak. Sa janë të sakta këto konstatime?  

 Bekim Muhaxheri: Leximi është si jeta, asnjëherë nuk mund të matet krejtësisht, të hyjë nëpër statistika.  

Ndoshta lexohet më pak libri klasik i shtypur në letër, pasi zhvillimi elektronik na i ka ndërruar shprehitë.  

Por mund të ndodhë që njerëzit të ngopen nga pajisjet ku tash lexojnë lajme e gjëra tjera dhe t’i kthehen librit si dashurisë së harruar. Ata që shkruajnë libra duhet të jenë gati.  

Lexuesi te ne është edhe i fshehur, nuk shfaqet, ndoshta nuk ka edhe çfarë të lexojë, ndoshta edhe pret libra tjerë më të mirë, ose e ka humbur besimin se të tillë do të ketë.  

Por libri dhe lexuesi i mirë gjithmonë takohen. E njohin njëri-tjetrin në lexim të parë.  

KALLXO.com: Sa është e leverdishme sot të merresh me krijimtari letrare?

Bekim Muhaxheri: Ata që shkruajnë nuk duhet ta mendojnë fare përfitimin, ose levërdinë nga shkrimet.  

Sikur shkrimtarët po edhe artistët tjerë të mendonin sa fitojnë përpara se të krijonin veprat e tyre, bota do të ishte shumë më e varfër artistikisht dhe nuk do ta kishte këtë trashëgimi. Disa nga artistët e varfër kanë krijuar vepra që sot kanë vlerë milionëshe. 

Letërsia nuk është matematikë, llogaritje. Në Kosovë shumë nga nxënësit që dinë të shkruajnë mirë, ka ndodhur ta kenë tmerr matematikën. Ndoshta ky është kushti për t’u bërë shkrimtar. Në rrethanat tona shkrimtari është mirë të mos pretendojë të jetojë nga shkrimet, të ketë burime tjera të të ardhurave.  

Ai duhet ta nxjerrë librin e tij nga zemra dhe t’ua ofrojë lexuesve, siç u ofroheshin dikur perëndive kurbanë në tempujt e ndërtuar për nder të tyre. Pastaj libri edhe mund të shitet.  

KALLXO.com: Kur pritet të botoni librin e radhës?  

Bekim Muhaxheri: Planet janë që libri i radhës po ashtu me poezi të botohet gjatë vitit të ardhshëm. Ai do të ketë brenda vetes edhe poezitë e mbylljes pas shpërthimit të pandemisë.  

Por deri atëherë ka kohë, e së pari duhet të jemi gjallë.