Bekim Lestrani, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Drenasit 13.09.2024

Bekim Lestrani zgjidhet kryesues i Kuvendit në Komunën e Drenasit

Bekim Lestrani është zgjedhur kryesues i ri i Kuvendit komunal të Drenasit. Ai i ka marrë 17 vota prej 31 asamblistëve të kësaj komune.

Kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci e ka cilësuar si “ditë të mirë në Kuvendin e Drenasit” zgjedhjen e kryesuesit të ri.

“Bekimit i uroj punë të mbarë dhe ofroj bashkëpunim të plotë si kryetar dhe qeverisje ekzekutive. Pengesat disa mujore për funksionimin e Kuvendit u hoqën, vazhdojmë me qeverisjen e shkëlqyer në komunën me qytetarët e shkëlqyer!”- ka thënë Lladrovci në njoftimin e tij në Facebook.

06.06.2024 KALLXO.com ka raportuar se Kuvendi Komunal i Drenasit në një seancë të jashtëzakonshme ka shkarkuar kryesuesin, Milaim Hajdari, i cili vjen nga partia që ka pushtetin në këtë komunë (PDK).

Pro shkarkimit të tij kanë votuar 16 asamblistë, përveç të opozitës edhe dy të PDK-së.

Milaim Hajdari ishte emëruar nga kryetari Ramiz Lladrovci në dhjetor 2021.

Për shkarkimin e tij kishte reaguar Lladrovci duke thënë se nuk befasohet.

Sipas LVV-së në Drenas, Hajdari nuk ka qenë asnjëherë në nivel të detyrës në rolin e tij si kryesues, dhe se sipas tyre, në Kuvend Komunal axhenda, dinamikat e të gjitha çështjet e punës së Kuvendit janë përcaktuar nga Lladrovci.

KALLXO.com gjithashtu raportoi me 16.08.2024 se Kryetari i Komunës së Drenasit ka kërkuar shpërndarjen e Kuvendit Komunal të Drenasit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Lladrovci ka njoftuar se ka kërkuar  nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që ta njoftojë Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e Kuvendit të Komunës së Drenasit sot e 71 ditë.

“Për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit, është në mandatin e Qeverisë ta shpërndajë Kuvendin e Komunës së Drenasit dhe legjitimiteti të kthehet te qytetari” – kishte shkruar Lladrovci në Facebook.

Kryetari Lladrovci kishte thënë se ka konstatuar se nga mosfunksionimi i Kuvendit është rrezikuar buxheti i Komunës, bartjet e mjeteve buxhetore për realizimin e shumë projekteve kapitale, rrjedhimisht, sipas tij, papërgjegjshmëria e Kuvendit po rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve të komunës së Drenasit.