Bekim Jashari. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekim Jashari uron Vetëvendosjen

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren në zgjedhjet e djeshme, duke theksuar nevojën që në Kosovë të punohet më shumë për reformë zgjedhore.

“Shteti ynë dje kaloj edhe një tjetër test të demokracisë, duke përfunduar me sukses procesin zgjedhor për Parlamentin e Republikës së Kosovës. Me gjithë rezultatet e shënuara në organizimin e zgjedhjeve ende duhet të punohet në zhvillimin e reformës zgjedhore që do të mundësojë rritjen e transparencës dhe kredibilitetit të procesit zgjedhor”, ka shkruar ai në Facebook.

Jashari po ashtu ka përmendur menaxhimin e pandemisë si dhe rimëkëmbjen ekonomike si sfida në Kosovë.

“Njëkohësisht dëshiroj që të uroj Lëvizjen Vetëvendosje  për fitoren e arritur në këto zgjedhje parlamentare. Mbetet jetike që sa më shpejtë të konsolidohen institucionet tona qendrore për tu marrë intenzivisht me menaxhimin efikas të pandemisë COVID-19, rimëkëmbjen ekonomike, luftimin e korrupsionit e nepotizmit, rritjen e punësimit dhe integrimin e vendit në mekanizmat ndërkombëtar”, ka theksuar ai.

Bekim Jashari ka bojkotuar zgjedhjet e djeshme parlamentare në shenjë proteste ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili kërkoi që të ndalen kamerat e shkollave nëpër klasa gjatë votimeve në Skenderaj, gjë të cilën e kundërshtoi publikisht ai.