Bekim Jashari shpërblen me mirënjohje dhe me nga 50 euro mësimdhënësit për 7 Mars

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, për nder të 7 marsit – Ditës së Mësuesit, ka ndarë mirënjohje dhe një shumë simbolike prej 50 euro për 52 mësimdhënësit me të dalluar të komunës, për vitin shkollor 2020-2021.

Sipas një komunikate për media, kryetari Jashari me këtë rast deklaroi se edukimi i mirëfilltë është baza e zhvillimit të shoqërisë, teksa përmendi edhe gjyshin e tij, heroin Shaban Jasharin.

“Këtë e kuptuan drejtë dhe me kohë mësuesit tonë të parë në Drenicë, gjyshi im Shaban Jashari, i cili asnjëherë nuk u ndal së shërbyeri vendit në edukimin e fëmijëve dhe mishërimin e tyre me vlera patriotike e atdhedashuri”, citohet të ketë thënë Jashari.

Ai tha tha se rrugën e heroit Shaban Jashari dhe mësuesve të parë në Drenicë e pasuan me shumë përgjegjësi gjenerata të tëra mësuesish, “të cilët nuk u ndalen as në kohë lufte duke dhënë më të mirën në edukimin e të rinjve dhe përgatitjen e tyre për t’i shërbyer vendit e për t’i dalë zot vendit”

“Përkrahja për mësimdhënësit nuk do të mungojë asnjëherë dhe kështu do të vazhdojmë që së bashku të shënojmë rezultate edhe më pozitive në avancimin e arsimit në komunën tonë”, shtoi tutje Jashari.

Në këtë ceremoni shkolla fillore “Azem Bejta”, në Prekaz, ndau mirënjohje për Familjen Jashari të cilën, shkolla ia dorëzoi kryetarit Jashari.