Bekim Jashari. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekim Jashari shpall kandidaturën për kryetar të Skenderajt

Bekim Jashari ka shpallur kandidaturën për të qeverisur edhe për një mandat me Komunën e Skenderajt.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Jashari në rrjetin social “Facebook”.

Jashari i cili është edhe kryetari aktual i kësaj komune, ka shpalosur punët dhe projektet e tij të nisura e të përfunduara gjatë kësaj qeverisje. Teksa paralajmëroi se në ditët në vazhdim do të shpalosin vizionin për Skenderajn në katër vitet e ardhshme.

Bekim Jashari i kishte hyrë garës për kryetar të Skenderajt në zgjedhjet lokale që ishin mbajtur në vitin 2017. Asokohe, ish-kryetari Sami Lushtaku ishte tërhequr për ta përkrahur Jasharin.

Mirëpo për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor, Sami Lushtaku nga PDK ka shpallur kandidaturën, por që ende nuk është zyrtarizuar.

Garës për ta qeverisur Komunën e Skenderajt i ka hyrë edhe Sokol Halili me Iniciativën Qytetare për Skenderaj.

Ky është postimi i plotë i Bekim Jasharit në rrjetin social “Facebook”

Të dashur bashkëqytetarë të komunës sonë,

Të dashura familje të dëshmorëve, veteran e invalid të UÇK-së,

Të dashur të rinj të komunë sonë,

Nëna, motra dhe vëllezër,

4 vite me parë mora një vendim jo të lehtë për mua dhe familjen time, inkuadrimi im në jetën politike në rrethanat në të cilat po kalonte shteti ynë nuk ishte i lehtë, por duke qenë pjesë e jetës në komunën tonë, duke parë problemet dhe sfidat e mëdha me të cilat po ballafaqohej komuna jonë, duke qenë i vendosur për t’i shërbyer vendit tim dhe qytetarëve pa asnjë dallim,  me kërkesë të qytetarëve pranova që të kandidoj për kryetar të komunës sonë, në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Përkrahja plebishitare e juaj për mua dhe qeverisjen time ishte obligimi im që të punoj më përkushtim maksimal për një jetë më të mirë për secilin qytetar të komunës sonë, për çka i jam falënderues përjetë secilit prej jush.

Qeverisjen time lokale në udhëheqje të qytetarëve të Skenderajt e fillova me betimin që bëra pranë varreve të familjarëve të mi, gjyshit, Shaban Jashari,  Komandantit Legjendar të UÇK-së,  Adem Jasharit, babushit Hamëzes dhe dëshmorëve të kombit në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë.

Pranë tyre dhashë betimin që çdo ditë, javë, muaj e vit do të angazhohem t’i shërbej secilit qytetar dhe ngritjes së mirëqenies së tyre,  duke u angazhuar për një qeverisje të mirë dhe transparente.

Siç e dini, gjatë fushatës parazgjedhore të vetmin premtim që kam dhënë ka qenë qeverisja transparente dhe me duar të pastra, përtej kësaj falë bashkëpunimit që kemi ndërtuar dhe me përkrahjen edhe të nivelit qendror dhe donatorëve kemi arritur që krahas instalimit të një qeverisje që në qendër ka qytetarin, respektimin e shprehjes se lirë e mendimit ndryshe kemi arritur që të realizojmë shumë projekte infrastrukturore në shumë fusha dhe reforma në administratë që kanë ndikuar në avancimin e shërbimeve për qytetarët.

Angazhimin tim si kryetar i komunës  e kam filluar me rivarrimin e dëshmorëve të kombit tonë, falë gjakut të së cilëve sot jetojmë të lirë e të pavarur. Proces ky i realizuar me sukses, duke krijuar kështu një vend dinjitoz ku pushojnë së bashku dëshmorët tonë.

Pandemia COVID-19 solli pasoja të mëdha dhe pamundësoi realizimin e projekteve të parapara, por pavarësisht kësaj ne nuk jemi ndalur, kemi realizuar e po realizojmë projekte  në secilin sektor, për të ngritur standartin e jetës së qytetarëve të Skenderajt.

Gjatë mandatit tim qeverisës, së bashku me donatorë dhe qeverinë qendrore kemi arritur të bëjmë më ujë të pijshëm 12 fshatra kurse në proces e sipër i kemi edhe 12 tjera.

Për të pasur furnizim të rregullt me ujë të pijshëm, këtë vit fillon projekti milionësh i ndërtimit të bazenave në Brus dhe ndërtimi i gypit kryesor me kapacitet të madh, Brus- Skenderaj.  Për këtë projekt si komunë kemi kryer procesin e shpronësimit të pronave.

Krahas kësaj jemi në rrugë të drejtë për fillimin e realizimit të projektit tonë strategjik, ndërtimi e pendës së Kuqicës, që do të sigurojë ujë të pijshëm, ujitje për bujqësi dhe mundësi të zhvillimit të turizmit në vendin tonë.

Kemi bërë investime infrastrukturore në institucionet tona shëndetësore si dhe furnizim me pajisje e medikamente të nevojshme mjekësore.

Me qëllim të përkrahjes së grave lehona që nga fillimi i këtij viti kemi filluar ndarjen e subvencioneve me nga 100 euro për secilën lindje.

Prioritet të veçantë i kemi dhënë zhvillimit të bujqësisë, përkrahjes së bujqve, ku kemi bërë 10-fishimin e  buxhetit për bujqësi nga 48 mijë sa ishte në vitin 2018 sipas buxhetit të miratuar në 2017, në rreth 500 mijë euro në vitin 2021, bashkë me donatorët.

Që nga ardhja  në krye të komunës kemi përkrahur me grante të ndryshme mbi 1000 fermer të komunës sonë kurse deri në fund të vitit do të përkrahim edhe 500 tjerë.

Kemi asfaltuar mbi 100 km rrugë dhe kështu planifikojmë që deri në fund të këtij viti të përfshijmë edhe ato rrugë në fshatra e lagje që kanë mbetur pa u asfaltuar.

Krahas asfaltimit të rrugëve kemi ndërtuar e po ndërtojmë trotuare e po ashtu edhe ndriçim publik në qytet dhe në bashkësi lokale.

Kemi ndërtuar e po ndërtojmë rrjetin e kanalizimit në çdo bashkësi lokale të komunës sonë, ku deri në fund të vitit synojmë të përfundojmë rrjetin e kanalizimit në shumicën e fshatrave kurse vitet në vijim do të fokusohemi në ndërtimin e gropave të reja septike, rritjen e kapacitetit të impiantit në Llaushë dhe ndërtimin e impianteve të reja për trajtimin e ujërave të zeza.

Kemi ndërtuar shkolla, salla sportive e poligone sportive për të rinjtë tonë për zhvillimin e aktiviteteve të tyre sportive.

Studentët e komunës sonë po i përkrahim për çdo vit me bursa kurse organizatat jo qeveritare dhe klubet sportive me mjete financiare për realizimin e aktiviteteve të tyre.

Në fokus të veçantë, gjatë qeverisjes sime e kam vendosur edhe mjedisin, duke bërë kështu largimin e deponive ilegale në zona urbane e rurale, pastrimin e lumenjve e po ashtu duke i pajisur edhe ekonomitë familjare me shporta për hedhjen e mbeturinave ku deri në fund të këtij viti synojmë të përfshijmë mbi 90  % të territorit të komunës sonë.

Po ashtu kam realizuar premtimin tim lidhur me mësimdhënësit ku kemi ndarë shujta me vlerë 800 mijë euro, dhe me këtë jemi bërë komuna e parë dhe shembull për komunat tjera kurse nga viti që vjen do të fillojmë të mbulojmë edhe shujtat për nxënësit e ciklit të ulët.

Jemi komuna e parë që kemi bërë miratimin e Hartës Zonale dhe PZHK-së sipas legjislacionit të ri të planifikimit hapësinor. Me këtë kemi  kompletuar legjislacionin në fushën e planifikimit hapësinor.

Krahas shumë projekteve infrastrukturore  të shumta që kemi realizuar kemi arritur që të përfundojmë procedurat për themelimin e parkut të biznesit si gjenerator i punësimit të të rinjve tonë.

Të dashur qytetarë, gjatë këtij mandati kam vizituar të gjitha familjet e dëshmorëve të komunës sonë si dhe kam bërë  homazhe tek varri i secilit dëshmor e martir të komunës sonë.

Nga këto vizita e homazhe kam marrë mesazhe të qarta që ne duhet të jemi të bashkuar për të jetësuar amanetin e dëshmorëve tonë sepse ata nuk kanë rënë që ne të jemi të lirë e të na kaplojë varfëria e përçarja por ata kanë rënë që ne te jemi të bashkuar për të krijuar një jetë më të mirë për secilin qytetarë të vendit tonë.

Të dashur qytetarë, nën betimin për të vazhduar qeverisjen time transparente dhe me duar të pastra, për të vazhduar me projekte të tilla edhe më madhore, për të arritur zhvillim ekonomik, mirëqenie, punësim të të rinjve, infrastrukturë moderne, furnizim  të rregullt me ujë të pijshëm, trajtim të ujërave të zeza, mbrojtje të mjedisit e planifikim të duhur hapësinor, kam vendosur që:

Të kërkoj nga ju edhe një mandat qeverisës si kryetar i Skenderajt, me vendosmërinë më të madhe për t’iu shërbyer edhe për 4 vitet e ardhshme.

Ditët në vijim do të takohemi në ceremoninë zyrtare në të cilën do të shpalosim vizionin tonë për Skenderajn në katër vitet e ardhshme.

I juaji Bekim Hamëz Jashari.