Bekim Jashari: Serbia vazhdon të mbaj peng eshtrat e të zhdukurve

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari u ka shprehur ngushëllime familjeve që sot kanë pritur eshtrat e familjarëve të tyre të zhdukurve në masakrën e Rezallës.

Jashari tha se ndaj Serbisë, faktori ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion më të madh pasi që ajo ende mban peng eshtrat e personave të zhdukur në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Ai theksoi se pamja e arkivoleve sot duhet të prek në ndërgjegjen e politikanëve në vend duhet të bashkohet për të mirën e shtetit.

“Duhet të shtohet presioni ndërkombëtar mbi Serbinë që ende mban peng eshtrat e më të dashurve tanë. Ajo ende nuk ka dhënë përgjegjësi ndërkombëtare për gjenocidin e bërë në Kosovë dhe ende shpreh pretendime territoriale në shtetin tonë. Këto pamje, sot para nesh, duhet të trokasin në ndërgjegjen e secilit prej nesh e në veçanti të politikanëve tanë që të bashkohen në të mirë të shteti”, tha ai.

Sot në pikën kufitare në Merdare janë pritur eshtrat e disa personave të zhdukurve nga masakra e Rezallës të gjetur në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.

Kurti: Masakra e Rezallës është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë