Bekim Jashari reagon pasi në kohë zgjedhjesh u vendos baneri me fotografinë e motrës së tij në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka reaguar pas një baneri të vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, në të cilin është e vendosur edhe fotografia e motrës së tij, njëherësh e mbijetuara e luftës, Besarta Jashari.

Jashari e ka quajtur të papranueshme, jo njerëzore dhe jo etike “keqpërdorimin i personalitetit” të Besartes, për “qëllime të caktuara politike”.

“Sapo më njoftuan që në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, është vendosur një baner me motive politike, në të cilin është e vendosur edhe fotografia e motres sime, Besarta Jashari. Është e papranueshme, jo njerëzore dhe jo etike keqpërdorimi i personalitetit të motres sime, Besartës, për qëllime të caktuara politike”, ka shkruar Jashari.

Ai ka thënë se në kohë zgjedhje ky akt nuk i bënë nder historisë dhe të kaluarës të lavdishme, as atyre që në emër të vlerave tona kombëtare tentojnë të përfitojnë politikisht.

Lidhur më këtë ka kërkuar nga organet e rendit si dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të verifikojnë mirë rastin dhe të veprojnë sipas legjislacionit në fuqi.

Siç merr vesh KALLXO.com krah Jasharit ndodhen në fotografi edhe kandidatët e LVV-së për deputete, Saranda Bogujevci dhe Vasfije Krasniqi, të dyja këto të mbijetuara të luftës së fundit në Kosovë.

Ky është baneri të cilën e ka postuar Jashari në rrjetin social “Facebook”.